Ajo çfarë paralajmëroi dy ditë më parë nga Tirana Prokurori italian i Antimafias, Federico Cafiero De Raho, ndodhi. Grupe mafioze shqiptare tashmë janë përfshirë në trafikun e kokainës. Të lidhur dhe me mafien në Itali, grupet shqiptare trafikojnë sasi të mëdha kokaine, përveç kanabisit.

“Krimi shqiptar është shumë i pranishëm në Itali dhe në aleancë të ngushte me Ndraghetën, Sacra Corona Unita dhe grupe të tjera kriminale. Ka një shtrirje në të gjithë bregdetin tonë atë Jonian dhe Adriatik po dhe në pjesën veriore të Italisë . Grupet shqiptare drejtojnë në Itali duke trafikuar drogëra të lehta, por kohët e fundit shqetësim është bërë edhe trafiku i kokainës nga ana e tyre“. Kështu u shpreh Prokurori i Antimafias më 26 shkurt pas takimeve që pati me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme Arta Marku.

Një ditë pas kësaj deklarate, mbrëmjen e 27 shkurtit në Portin e Durrësit u kap një sasi rekord prej 613 kg kokainë, me vlerë disa miliona euro. Sasia më e madhe e kësaj lloj droge e kapur në Shqipëri, u gjet e fshehur brenda një kamioni me banane i ardhur nga vendet e Amerikës Latine.