Në kuadër të hetimeve për dosjen e laboratorit të kokainës në Frakull, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka mundur të sigurojë bashkëpunimin e dy të arrestuarve, të cilët kanë pranuar të bëhen “të penduar”.
Burimet bëjnë të ditur se dy të arrestuarit kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë në cilësinë e të penduarve, duke dhënë informacione të rëndësishme për aktivitetin kriminal dhe për personat e tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej personave është shtetas i huaj, ndërsa tjetri shqiptar.
Kujtojmë se në 6 mars, SPAK njoftoi edhe 5 masa arresti të tjera të miratuara nga GJKKO-ja, “arrest me burg”, prej të cilave 3 u ekzekutuan dhe 2 persona u shpallën në kërkim.
Mësohet se të akuzuarit janë; Kevin (Arjan) Margjoni, Durim Keçi, Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola.
Dy të parët, Margjoni dhe Keçi, janë shpallur në kërkim, kurse të tjerët janë të ndaluar.
SPAK tha se të pestë akuzohen për një tjetër episod trafiku në kuadër të organizatës kriminale me 15 persona, 10 prej të cilëve të dënuar më parë nga GJKKO.
Për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë: Nikolin Gjolena, Viktor Çervanaku, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, Marildo Rona dhe kolumbiani Samir Rosales Rodriguez.





