Në një prononcim ekskluziv për News24 dhe BalkanWeb, ambasadori amerikan Donald Lu ka komentuar kapjen e 613 kg kokainë në Durrës si dhe deklaratën e pronarit të 'Arbri Garden' nga Gjermania se ai nuk është një "peshk i madh".

Donald Lu është shprehur se Arbër Cekaj nga çdo këndvështrim është "peshk i madh" dhe i ka bërë thirrje partnerëve ta arrestojnë dhe ta sjellin para drejtësisë.

Z. Lu, Arbër Çekaj ka thënë se ai nuk është një "peshk i madh"? A mendoni ju se ai është i tillë?

Nga çdo këndvështrim, Z. Çekaj është një peshk i madh. Kompania e tij importoi një ngarkesë bananesh që përmbante sasinë më të madhe të kokainës në historinë e Shqipërisë. Ai është hetuar më parë për trafikim kokaine nga prokurorët shqiptarë. Ne përgëzojmë punën e prokurorëve të Krimeve të Rënda që kërkuan urdhër arrestin për Z. Çekaj. Shqipëria ka një histori të gjatë arrestimesh të ngjalave dhe injorimi të peshqve të mëdhenj. Kjo gjë merr fund sot. Ne i bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të gjejnë Z. Çekaj dhe ta dorëzojnë atë përpara drejtësisë.