Shpallet në kërkim ndërkombëtar Arbër Çekaj.
Gjykata e Krimeve të Rënda miratoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dhënë masën e "arrestit me burg në mungesë" për pronarin e shoqërisë "Arbri Garden" i cili kishte porositur kontejnerin me banane nga Kolumbia.
Në kontejner u gjetën 613 kg kokainë kolumbiane me vlerë tregu 180 milionë euro.
Me marrjen e vendimit policia e shtetit e shpall në kërkim ndërkombëtar Arbër Çekaj i cili rezulton se është larguar nga Shqipëria tri ditë para sekuestrimit të ngarkesës me kokainë në magazinat e tij në Maminas të Durrësit.
Në pranga deri tani ka rënë shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe menaxheri i kësaj kompanie, Donaldo Lushaj.
Ngarkesa prej 613 kg kokainë kolumbiane u sekuestrua mbrëmjen e 27 shkurtit në magazinat e Maminasit në Durrës. Kjo është sasia e kokainës më e madhja e kapur ndonjëherë në Shqipëri.





