Një 25-vjeçar shqiptar, është arrestuar nga policia britanike pasi posedonte lëndë narkotike me vlerë 4.9 mln paund si dhe 250 mijë euro cash në banesën e tij në Essex të Britanisë.

Në momentin e arrestimit, punonjësit e policisë gjetën dy pako me nga 1 kg kokainë në rroba dhe automjetin e shqiptarit.

Mark Gorini, u arrestua me dokumenta italiane false në një pikë karburanti në High Road në zonën e quajtur Buckhurst Hill.

Oficerët gjithashtu zbuluan 47 kg kokainë të tjera në banesën e tij në Queens Road. Gjithashtu u sekuestruan dhe një makineri për numërimin e parave, si dhe mjete për peshimin e drogës.

Mbi të riun Gorini, tani rëndojnë akuzat e trafikimit të drogës, posedimit të dokumentave false, pastrim parash si dhe drejtimi i makinës pa leje drejtimi. Ai është dërguar në paraburgim, ku pritet të dalë para gjykatës.