* Sekuestrohen 600 gr heroinë, 400 gr kokainë dhe 500 gr kanabis sativa, 5 300 €, një automjet dhe 10 celularë

19 nëntor 2015 – Specialistët e Narkotikëve në Durrës kanë goditur një grup prej 5 personash, të cilët trafikonin lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, heroinë, kokainë, kanabis sativa. Mes të arrestuarve është dhe një vajzë 31 vjeçe nga Tirana, e cila punon si stjuardesë në portin e Durrësit.

Shkatërrimi i këtij grupi u bë i mundur në sajë të finalizimit me sukses të operacionit të koduar “Miks”, emër i marrë ky për nga vetë shumëllojshmëria e lëndëve narkotike që trafikoheshin nga këta persona.

Të arrestuarit:

• Besmir Basha, 30 vjeç, banues në Durrës;

• Denis Grabovari, 35 vjeç, banues në Durrës;

• Mirgen Huba 32 vjeç, banues në Tiranë;

• Elisa Tabaku, 31 vjeçe, banuese në Tiranë;

• Lulzim Isai, 49 vjeç, banues në Shijak.

U sekuestruan:

• 600 gramë heroinë;

• 400 gramë kokainë;

• 500 gramë kanabis sativa;

• 5300 €;

• një automjet tip Ford Focus me targa AA 095 JD;

• 10 telefona celularë.

Burimet policore bëjnë me dije se sasia e drogës u gjet në shtëpinë e shtetasit Denis Grabovari në Shijak, vend në të cilin u bë dhe arrestimi i tij në flagrancë. Për 35-vjeçarin nga Shijaku, policia thotë se ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “Dhunë ndaj punonjësve të policisë”. Ndërsa, për të vetmen anëtare femër të këtij grupi, Elisa Tabakun, arrestimi është realizuar në portin e Durrësit, vend në të cilin punon dhe 31-vjeçarja nga Tirana. Ajo është e punësuar si stjuardesë e tragetit “Marina” e linjës Durrës – Bari.

Policia u infiltrua duke blerë drogë te grupi

Hetimet për goditjen e këtij grupi trafikantësh kanë nisur që në muajin shkurt të këtij viti, por gjatë 6 muajve të fundit, efektivët e policisë kanë bërë blerje të stimuluara. Gjatë gjithë kësaj periudhe që policët e infiltruar realizonin blerjen e stimuluar të drogës, realizonin foto, video dhe përgjime po ashtu.

Dyshohet se ky ishte një grup i mirëorganizuar i trafikut të lëndëve narkotike të shtrenjta e të forta, të cilat shpërndaheshin në qytetin e Durrësit, në zonën e plazhit dhe gjithashtu në Shijak.

Por dyshimet shkojnë edhe më tej, për një trafik ndërkombëtar, i cili mund të jetë realizuar nga Elisa Tabaku. Këto dyshime kanë lindur, duke u nisur nga vetë puna e 31-vjeçares, si stjuardesë e linjës Durrës-Bari.

Materialet e kësaj çështjeje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

/S.L. portali DurresLajm/