Gjatë verës që sapo lamë pas, u raportua se në Shtëpinë e Bardhë u gjet kokainë. Për herë të parë është zbuluar edhe fotografia e qeses së kokainës në qendrën e politikbërjes së SHBA-së.
Substanca e dyshuar u gjet më 2 korrik në një dollap me kyç në hyrje të Krahut Perëndimor, një pjesë e madhe, shumëkatëshe e Shtëpisë së Bardhë, ku gjenden zyrat e presidentit amerikan, duke përfshirë edhe Zyrën Ovale.
Ai strehon gjithashtu zyrat e zëvendëspresidentit, shefit të kabinetit, sekretarit të shtypit dhe qindra anëtarëve të tjerë të stafit që kanë akses.
Zbulimi çoi në një evakuim të Krahut Perëndimor dhe në mbylljen e rrugëve rreth selisë së qeverisë në Uashington. Një test i zjarrfikësve rezultoi se bëhej fjalë për drogë dhe jo për lëndë plasëse apo lëndë helmuese.
FBI dhe Shërbimi Sekret ishin në gjurmë, por nuk ishin në gjendje të identifikonin përdoruesin e kësaj substance.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden u larguan nga Shtëpia e Bardhë dy ditë përpara se droga të zbulohej, për të kaluar një fundjavë të gjatë në Camp David.
Prindërit e tij i shoqëronte gjithashtu edhe 53-vjeçari Hunter Biden, i cili ishte i varur nga kokaina në të kaluarën.
Dollapët në krahun perëndimor të ndërtesës janë në dispozicion për vizitorët. Stafi zakonisht nuk ruan artikuj në zonën e hyrjes.
Një person i brendshëm i tha gazetës Daily Mail se kokaina ka gjasa t’i përkiste dikujt që po merrte pjesë në një turne. Punonjësve të Shtëpisë së Bardhë u kërkohet t’i nënshtrohen testimit të drogës, por vizitorët në ndërtesën e ekzekutivit jo.
Shërbimi Sekret mbylli hetimin në më pak se dy javë për shkak të “mungesës së provave”.
Lista e të dyshuarve ishte ngushtuar në 500 persona, por duke qenë se kamerat e vëzhgimit nuk ishin fokusuar në dollap, pronari nuk mund të gjendej. Më vonë, qesja me kokainë u shkatërrua.
Një deklaratë e Shërbimit Sekret tha: “Pa prova fizike, hetimi nuk do të jetë në gjendje të identifikojë asnjë të dyshuar nga qindra njerëz që kaluan nëpër hollin ku u zbulua kokaina”. Kështu, përdoruesi i saj mund të mos zbulohet kurrë.