Goditet një bandë e mirëorganizuar që importonte dhe eksportonte droga të forta nga Amerika Latine, në sajë të një investigimi të përbashkët midis prokurorisë holandeze dhe asaj belge.

Policia holandeze arrestoi 13 persona, ndërsa ajo belge 4, duke e çuar në 17 numrin total të të arrestuarve. Mediet e huaja shkruajnë se pjesë e kësaj bande ishin shqiptarë, boshnjakë, serbë dhe holandezë.

Hetimet kanë filluar, pas një kërkese të prokurorisë belge. Gjatë hetimeve që nisën në fund të vitit 2014, u zbuluan disa banda të organizuara kriminale, të përbëra nga disa anëtarë aktivë në Holandë dhe Belgjikë.

Droga trafikohej me kontejnerë nga Kolumbia ose Ekuadori, duke u importuar pastaj ndërmjet portit të Rotterdam-it apo atij të Antwerp-enit. Nuk përjashtohen edhe arrestime të tjera në ditët në vijim.