–         Letër e hapur e Presidentit të organizatës Albanians for a Democratic Albania drejtuar ish-shefit të Pentagonit

E martë, 18 qershor 2013

Lënda: Shpenzimet për udhëtimin e Ramsfelld-it (Rumsfeld) në Shqipëri

Zoti Ramsfelld,

Në vazhdim të letrës sime të 17 qershorit 2013, ju bëj të ditur se në Shqipëri po jepen njoftime se ju ose fondacioni juaj jeni paguar për të shkuar në Shqipëri dhe / ose shpenzimet tuaja të udhëtimit janë subvencionuar. Si shembull, ju lutem shihni raportin në këtë link: http://www.eurasiareview.com/18062013-albania-award-for-rumsfeld-raises-eyebrows/

Në thelb këto raporte shtrojnë çështjen se kush ka paguar.

Një gjë është e qartë, vizita juaj për t’u takuar me Sali Berishën dhe Fatmir Mediun u projektua si përpjekje për t’i mbështetur në fushatën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 23 qershor në Shqipëri.

Nëse qeveria shqiptare ju ka paguar drejtpërdrejt apo tërthorazi dhe / apo ka paguar plotësisht shpenzimet tuaja, kjo mund të përbëjë dhe një akt i paligjshëm nga ana e qeverisë Berisha. Pra, atëherë do të shtrohej problemi nëse edhe ju keni ndonjë përgjegjësi.

Prandaj, më duhet t’ju pyes edhe një herë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, ndoshta nëpërmjet Fondacionit Rumsfeld, a keni marrë ndonjë formë kompensimi për udhëtimin tuaj në Shqipëri, apo a jeni rimbursuar gjithsesi për shpenzimet që lidhen me udhëtimin tuaj? Nëse është kështu, cili ishte burimi i këtyre fondeve? Ju paguan nga palë të treta të lidhura me qeverinë e Shqipërisë, për shembull, Podesta Group apo Patton Boggs? Apo pagesat u bënë me fonde nga thesari i Shqipërisë?

Nisur nga polemikat për udhëtimit tuaj dhe afati i afërt i zgjedhjeve, ka rëndësi që ju menjëherë të bëni të ditur të gjitha detajet se cilët ishin mekanizmat financiarë që u përdorën për udhëtimin tuaj në Shqipëri.

Ju duhet të jeni vënë në dijeni për njoftimet në Shqipëri se disa javë më parë, nga qeveria shqiptare u janë paguar disa qindra mijë dollarë konsulentëve në Uashington. Nisur nga zgjedhjet e ardhshme, koha e pagesave të tilla duket disi e dyshimtë. Nëse është e vërtetë, dhe nëse fondet erdhën nga qeveria shqiptare, dhe në qoftë se këto fonde gjithsesi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, po përdoren për të mbështetur regjimin e Berishës, atëherë kjo do të përbënte një shkelje të ligjeve shqiptare, dhe jam i mendimit se mund të kërkohet të bëhen hetime këtu në SHBA, ndoshta nga Departamenti i Drejtësisë, dhe ndoshta nëpërmjet seksioneve të FARA-s [The Foreign Agents Registration Act] dhe FCPA-së [The Foreign Corrupt Practices Act].

Gjithashtu ka rëndësi që ju të bëni të ditur se çfarë dinit për përfshirjen e Fatmir Mediut në tragjedinë e Gërdecit, skandalin e armëve të AEY-së, lidhjen e tij me Gazmend Mahmutaj, pasurinë e tij të pashpjegueshme, refuzimin për të bashkëpunuar me prokuroren e përgjithshme të Shqipërisë që u përpoq ta pyeste rreth kësaj përfshirjeje në shpërthimin e Gërdecit, si dhe informacione të tjera që ngjyrosin një imazh personi shumë të neveritshëm. A keni marrë n në konsideratë donjë nga këto, ndërsa po i bënit furçe Mediut? Me fjalë të tjera, çfarë dinit dhe çfarë nuk dinit?

Më duhet t’ju them se edhe po të ketë qoftë edhe një grimë të vërtetë në faktin se keni pranuar të gostiteni nga kallëpe si Berisha dhe Mediu, atëherë ju sugjeroj të bëni një hap prapa dhe rishikoni standardet tuaja morale.

Ju kërkohet urgjentisht vëmendje për këtë çështje.

Me nderime

Geri (Gary) Q. Kokalari

Organizata “Albanians for a Democratic Albania – shqiptarë për një Shqipëri Demokratike)

Për t’ju rifreskuar kujtesën, ky link do t’ju çojë në një artikull të New York Times-it mbi marrëveshjen me AEY-në, gjë për të cilën u dënuan katër amerikanë për mashtrim të Departamentit amerikan të Mbrojtjes. Do kisha kënaqësinë t’ju jepja informacione mbi përfshirjen e Berishës dhe Mediut në këtë marrëveshje.

http://www.nytimes.com/2008/03/27/world/asia/27ammo.html?pagewanted=all