Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima ka propozuar sot që Shqipëria të mbajë një ditë zie për të nderuar shqiptarët kudo që jetojnë të cilët humbën jetën nga COVID-19.
Kokëdhima shkruan në Facebook se shumica prej tyre janë përcjellë për në banesën e fundit nga një grusht familjarësh ose në vetmi, megjithëse shumë do të donin t’u jepnin nderimet e duhura viktimave të pandemisë, por kushtet dhe masat për distancimin fizik nuk e lejojnë.
POSTIMI I PLOTË
Të ulim flamujt në gjysmështizë!
Koço Kokëdhima
Pandemia u ka marrë jetën deri më sot 23 shtetasve shqiptarë në Shqipëri. Nga Italia erdhën në Shqipëri 12 arkëmorte, me trupa të pajetë të shqiptarëve, që humbën betejën me COVID-19. Në SHBA deri më sot janë 9 shqiptarë të vdekur.
Shumica prej tyre janë përcjellë për në banesën e fundit nga një grusht familjarësh ose në vetmi. Do të donim shumë t’u jepnim nderimet e duhura viktimave të pandemisë, por kushtet dhe masat për distancimin fizik nuk e lejojnë. Ndaj në emër të partisë ‘Zgjidhja’ propozoj që në nderim të të gjitha viktimave, Shqipëria të ulë flamujt në gjysmështizë. Ngushëllime familjeve të viktimave!





