25 prill 2015 – Deputeti socilaist i qarkut të Vlorës Koço Kokëdhima, ka qenë protagonist i një sherri të pazakontë, ditën e enjte, në Parlamentin Shqiptar, ku mazhoranca nuk arriti të miratonte asnjë projektligj për shkak të mungesës së kuorumit dhe kundërshtive për projektligjin që konfiskon banesat e borxhlinjve të OSHE-së.

Kokëdhima është përfshirë në debate dhe polemika të forta me tre deputetë çamë në Parlament, me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizin si dhe dy deputetët e tjerë të kësaj partie, Aqif Rakipin dhe Omer Mamon.

Mësohet se shkak është bërë ndarja e zonave të influencës, kandidatët, fushata dhe llogaritë për zgjedhjet e 21 Qershorit. Pas zyrtarizimit të marrëveshjes me kryeministrin Rama, çamët zyrtarizuan kandidatët e tyre në tre bashki, që shtrihen në Qarkun e Vlorës, Tiranës dhe Elbasanit.

Pra, çamët do të përfaqësohen me kandidat edhe në Bashkinë e Konispolit, e cila i përket Qarkut të Vlorës, qark i cili është nën influencën e plotë të Koço Kokëdhimës. Duket se shkak i përplasjes së Koço Kokëdhimës me tre deputetët çamë në Parlament ka qenë pikërisht Bashkia e Konispolit.

Debati mes Kokëdhimës dhe tre deputetëve të PDIU-së është shuar vetëm pas ndërhyrjes së deputetit socialist Taulant Balla.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/