Ka nisur seanca gjyqësore për dhënien e masës së sigurisë për gjashtë punonjësit e policisë së Portit të Durrësit, të cilët u arrestuan nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore pas shkeljeve të kryera gjatë ushtrimit të detyrës.

Inspektorët Kalosh Sula, Luan Çelaj, Marsel Farruku, Naim Kadrimi, Isametin Vranezi dhe Eduart Matmuja akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”.

Më herët AMP bëri me dije se punonjësit e policisë, “duke keqpërdorur atributet që u jep detyra në P.K.K Port Durrës, lejonin hyrje-dalje të shtetasve të cilët kishin ndalesa për udhëtimin në zonën Shengen në këmbim të vlerave monetare, të cilat varionin nga 5 deri në 100 euro”.

Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, më herët, në funksion të këtij procedimi, ka caktuar masat e sigurimit personal “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për 20 shtetas, të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer ndërveprime korruptive ndaj punonjësve të policisë të përmendur më lart. Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

K.Gj.