DURRËS, 13 tetor 2014– Kapiteni Ivanovic kërkon ndihmën e tifozëve për ndeshjen kundër Shqipërisë, ndërsa mbrojtësi Alexandar Kolarov shkon shumë më tej duke i kritikuar për sjelljen e tyre pas barazimit në Armeni. Kritikat e mbështetësve të Serbisë në faqet sociale, nuk e kanë lënë aspak pasiv lojtarin ballkanas që zgjedh fjalët e drejtëpërdrejta.
“Gjatë ndeshjes kundër Armenisë nuk patëm asnjëherë mbështetjen e duhur. Është e pakuptimtë që tifozët të na sulmojnë menjëherë sapo na shikojnë në vështirësi. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve përdor tastierën e kompjuterit për të shprehur frustrimin e tyre”.
Një sinjal i qartë ky nga ana e mbrojtësit serb që konfirmon marrëdhëniet e tensionuara mes skuadrës kombëtare dhe tifozerisë vendase, e cila akuzon lojtarët për impenjim të paket me fanellën e Serbisë. Një pjesë e tyre drejtojnë gishtin e akuzës edhe ndaj trajnerit Dick Advocat, i cili ka lënë jashtë listës së kombëtares sulmuesin e Romës, Adem Ljajic dhe mbrojtësin e Borussia Dortmund, Neven Subotic.





