-Në hijet e heshtura të një mendimtari që themelonte brezat

NGA BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Në mëngjeset e hershme të Shkodrës, kur mjegulla e Bunës ngrihet ngadalë si një perde e hollë mbi kalldrëmet e vjetër, duket sikur qyteti nuk zgjohet veç me tingujt e kambanave, por edhe me zërat e njerëzve që kanë lënë gjurmë.

Shkodra ka një aromë të veçantë kur lind dielli mbi Rozafë. Dukshëm e padukshëm, në këtë qytet ka një mënyrë të vetën për t’i rritur njerëzit: me kulturë të natyrshme, me brumë qytetarie, me elegancë mendimi. Prej andej vinte Kola. Dhe kushdo që e ka njohur, e di mirë se tek ai Shkodra nuk ishte thjesht një vendlindje, ishte gjuhë shpirtërore, themel karakteri, etje e pashuar për dije, për vlerë, për saktësi.

Dhe një nga këta zëra, i qetë, i butë, por i palëkundur si gurët e Rozafës, është ai i Kolës njeriut që jetoi për arsimin, arti¬kulimin, fjalën e shkruar dhe për vlerën e dijes që nuk shuhet kurrë.

Shkodra e tij nuk ishte thjesht vendlindje. Ishte pikënisje, ishte burim frymëzimi, ishte universiteti i parë i jetës. Në familjen fisnike e punëtore, ku fjala e dhënë ishte kontratë e shenjtë dhe buka ndahej edhe me mikun e panjohur, Kola mësoi se njeriu matet jo me ç’ka, por me ç’duron, me ç’bën dhe me ç’len pas.

Kola fliste shpesh për qytetin e tij si të fliste për një njeri: me mall, me mirënjohje, me krenarie të heshtur. Në shtëpinë ku u rrit, fjala kishte peshë, libri kishte vend nderi, ndërsa përpjekja për t’u bërë i dobishëm ishte domosdoshmëri morale.

Familja e tij ishte e thjeshtë në dukje, por e pasur në përmbajtje, vatër ku fëmijët mësonin se njeriu nuk rritet vetëm me bukë, por edhe me mend, me vullnet e me ndershmëri.

Në atë mjedis u formësua Kola i mëvonshëm, ai që do të bëhej një nga ata njerëz të rrallë që arsimit shqiptar i shtojnë shtyllë, jo peshë formale.

Nga të gjitha figurat që sollën në shekullin XX frymën e rilindjes së dytë shqiptare rilindjen e arsimit, të kulturës dhe të studimeve shkencore ka disa që nuk i shohim shpesh në ballinat e historisë, e megjithatë janë gur themeli i asaj ndërtese të madhe ku brezat e sotëm ecin me siguri. Në atë radhë të përjetshme të shërbestarëve të mëdhenj të kombit, ndër zërat më të heshtur, më punëtorë dhe më fisnikë, qëndron Kolë Kamsi.

Ky emër, sa i qetë aq edhe i thellë, sa modest aq edhe monument, qendron në memorien e kulturës shqiptare, si një dritare prej nga hyn ende drita e formimit, e dijeve dhe e karakterit qytetar.

Nëpërmjet tij, Shqipëria shkroi kapitull që vështirë të imagjinohet pa të, kapitullin e rrënjosjes së arsimit kombëtar dhe të studimeve serioze mbi gjuhën, folklorin, kulturën dhe identitetin tonë.

Kjo nuk është thjesht historia e një njeriu. Është historia e një rrezatimi të gjatë që nis në Shkodrën e viteve 1880 dhe endet nëpër gjithë Shqipërinë e arsimuar të sotme.

Në gjurmët e formimit: një djalë shkodran i destinuar për dije
Kolë Kamsi lindi më 23 shtator 1886 në Shkodër, në një familje modeste tregtarësh të vegjël. Nuk nisi si figurë e bujshme e qytetit, por si djalë i qetë, i palodhur, i përkushtuar ndaj librave dhe gjuhëve të huaja, tipar që më vonë do ta kthente nga mendjet më të arsimuara të Shqipërisë.

Kamsi i përfshiu studimet me një ngulm të rrallë. Mësoi shqip, natyrisht, me mjeshtërinë e të pasionuarit, italisht, që më vonë do t’i shërbente në përkthime dhe tekste, frëngjisht, gjuhë që e përdori në shumë burime krahasuese dhe kishte njohuri të mira në latinisht.
Formimi i tij nuk ishte vetëm gjuhëtar.

Ishte lexues i literaturës europiane, ndjekës i mendimit pedagogjik modern dhe adhurues i folklorit, tre shtylla mbi të cilat do të ndërtonte krejt veprën e tij.

Në vitin 1907, ende i ri, merr rrugën drejt Vlorës, atëherë një nga qendrat më dinamike të lëvizjes arsimore shqiptare. Këtu fillon misioni i tij i madh.

Mësuesi i Vlorës ku nis rruga e një dijetari kombëtar

Vitet 1907–1920 janë ndër më të rëndësishmet për formimin e personalitetit të Kamsit. Shërben si mësues i gjuhës shqipe në shkollat e Vlorës, bashkëkohës i emrave të njohur si Jani Minga, Thoma Papapano, Halim Xhelo e shumë të tjerë. Vitet e para të mësimdhënies, ishin vitet kur arsimi shqiptar po kërkonte identitet, po kërkonte formë, strukturë dhe fjalor.

Në vitin 1915, kur u krijua shkolla fillore e parë në Vlorë, Kamsi caktohet drejtori i parë i saj. Nuk ishte vetëm detyrë administrative, por akt themelimi. Vendosi standardet, formoi mësues të rinj, hartoi planprograme dhe krijoi klimë mësimore, ku nxënësit ndiheshin shqiptarë jo vetëm nga emri, por edhe nga dija.

Në këtë periudhë ai merr pjesë në: “Lidhjen e Arsimtarëve të Vlorës”, “Klubin Labëria”, aktivitete kulturore, folklorike dhe gjuhësore. Ishte ushtar i arsimit, gjithnjë në terren, gjithnjë në kërkim të formës së duhur, për të ngjizur një brez të ri ndërgjegje kombëtare.

Kthimi në Shkodë profesor, drejtor, reformator

Në vitet 1920–1936, Kamsi rikthehet për gati dy dekada në Shkodër. Këtu formon një profil akademik të plotë: mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e Shtetit, drejtues i kurseve pedagogjike dhe më vonë drejtor i Institutit Femëror “Donika Kastrioti”.

Pozicione që tek ai nuk ishin thjesht poste, por instrumente për të krijuar kulturë të re arsimore. Kamsi ndërthurte disiplinën shkodrane me përvojën e viteve në Vlorë, duke formuar një shkollë të mesme moderne, të krahasueshme me ato europiane.

Ishte edhe në mesin e delegatëve të Kongresit II Arsimor (1922), ku u përcaktuan shumë prej linjave udhëzuese të arsimit shqiptar. Ishte si gjithmonë i qetë, i peshuar, por kyç.

Hyn në skenë Instituti i Studimeve Shqiptare zëri i dijes kombëtare
Viti 1940 Kamsi përfshihet si anëtar i Komisionit Teknik të teksteve pranë Ministrisë së Arsimit, së bashku me figurat gjigante të fushës: Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Eqrem Çabej, Ernest Koliqi. Në këtë periudhë dha ndihmesë në hartimin e: teksteve të gjuhës shqipe, antologjive të letërsisë kombëtare, programeve mësimore.

Po atë vit, vendoset në Institutin e Studimeve Shqiptare, instituti pararendës i albanologjisë moderne. Këtu bashkëpunon me emrat më të shquar të kërkimit kulturor: Lasgush Poradeci, At Zef Valentini, Sotir Kolea, Odhise Paskali, Arshi Pipa, Mid’hat Frashëri, Pjetër Arbnori i hershëm i dijes shkencore.

Kamsi sjell në këtë institut fuqi të rrallë pune dhe saktësi filologjike, që e bën shpejt nga studiuesit më të vlerësuar.

Fjalori Arbërisht–Shqip kryevepra që e tejkaloi kohën

Në dekadat e fundit të jetës, Kolë Kamsi iu përkushtua veprës së tij më monumentale Fjalorit të Dialektit Arbëresh. Punoi mbi fonetikën, morfologjinë, leksikun, frazeologjinë e arbërishtes, duke mbledhur rreth 10.000 fjalë nga autorë arbëreshë, nga poezia popullore e Italisë dhe nga tradita e gjuhës së hershme. Ishte një punë laboratori, që u shtri në më shumë se 30 vjet.

Më 23 shkurt 1960, i shtrirë në shtrat, i dorëzoi manuskriptin profesor Mahir Domit, duke shqiptuar ato fjalë që tingëllojnë si testament shpirtëror:

“Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e mbajta.”

Fjalori, megjithatë, mbeti 40 vjet në raftet e Institutit të Shkencave, deri sa u botua në vitin 2000, falë redaktimit të profesor Ferdinand Lekës. Ky botim konsiderohet një nga gurët e çmuar të albanologjisë.

Pedagogu i brezave 53 vjet në shërbim të arsimit

Pas luftës, në periudhën 1945–1960, Kamsi vijon veprimtarinë e tij pedagogjike në Shkodër: profesor në gjimnazin “28 Nëntori”, pedagog i folklorit dhe i gjuhës në Institutin e Lartë Pedagogjik, studiues pranë Institutit të Shkencave. Në vitin 1955 zgjidhet Kandidat i Shkencave, një nderim i lartë për kohën.

Veç dijeve, u jepte nxënësve të vet edhe karakter: qetësinë e njeriut që lexon shumë, urtësinë e atij që ka parë shumë dhe hijeshinë e mësuesit që nuk bërtet, por bind.

Vepra univers i gjerë studimesh

Veprimtaria e Kolë Kamsit shtrihet në shumë fusha:
Gjuhësi, Manual praktik i gjuhës shqipe (3 botime), studime mbi dialektologjinë, redaktime të fjalorëve italianisht–shqip, artikuj të shumtë mbi strukturën e gjuhës.

Letërsi dhe përkthime. Përktheu mjeshtërisht: Andersen, Grim, Hugo, Tolstoi, La Fontaine, Bokaço si dhe autorë të tjerë italianë, francezë dhe gjermanë. Përkthimet e tij sollën te fëmijët shqiptarë, letërsinë europiane në vitet kur librat ishin dritare të rralla.
Folkloristikë. Mblodhi materiale të çmuara folklorike: këngë, përralla, proverba, dokumente etnografike, materiale dialektologjike. Këto arkiva shërbyen më pas, për studiues të tjerë të brezave të mëvonshëm.

Histori dhe publicistikë. Shkrimet e Kolë Kamsit u botuan në: Albania (1907), Përparimi (1915), Agimi i Shkodrës, Dituria, Edukata e Re, Kuvendi, Leka, Corriere della Puglie (1917). Trajtoi tema historike si: Udhëtimi i Skënderbeut në Romë, 28 Nëntori, Kryengritja e Malësisë së Madhe, Lëvizjet e viteve 1910–1911, Dokumentat e Agimit të Lirisë.

Mes Shkodrës dhe misionit që zgjodhi

Kur njeriu zgjedh arsimin, shpesh duket sikur zgjedh një profesion. Por tek Kola ishte krejt ndryshe. Ai nuk e pa kurrë shkollën si vend pune por si vend premtimi. Kudo që shkoi, Kola mbante me vete atë përkorësinë shkodrane, disiplinën e brendshme dhe një ndjenjë misioni që nuk ftohej kurrë.

Përpjekjet e tij ishin të qeta, por të jashtëzakonshme. Nuk ngriti zë, nuk kërkoi duartrokitje, nuk deshi lavde. Por la një gjurmë të cilën sot shumë kolegë e konsiderojnë gur themeli në profesionalizëm, në etikë, në korrektesë. Kola ishte prej atyre njerëzve që punonin shumë, flisnin pak dhe prodhonin shumë më tepër se ç’mund të bënte një njeri i zakonshëm.

E dinte që materiali i mirë kërkon kohë, durim dhe sy të mprehtë. Dhe këtë e paskan trashëguar vetëm ata që e kuptojnë se çfarë do të thotë të japësh, të ndërtosh, të mbetesh.

Dinjiteti i fundit jetë që mbyllet me vepër në dorë

Kolë Kamsi u nda nga jeta më 25 shkurt 1960, një ditë pasi dorëzoi fjalorin, në moshën 74-vjeçare. I la kulturës shqiptare mbi 53 vjet punë të pandërprerë, duke vendosur themele që edhe sot mbajnë arsimin tonë mbi supe.

U dekorua me: Urdhrin e Flamurit, titullin “Mësues i Popullit”, dy nga vlerësimet më të larta që mund t’i jepeshin një figure arsimore.

Vijimësia nga Kolë Kamsi te Terezina dhe Aurel Kaçulini

Dhe ky Kams i artë, ishte folklorist, mësues, pedagog i gjuhës shqipe, hartues tekstesh shkollore, përkthyes, prozator, albanolog, fabulist, publiçist e redaktor, studiues pikant i gjuhës shqipe dhe traditave, hulumtues nga më të aftët në Institutin e Studimeve Shqiptare. Martuar me Gjyzepinën, shtuan familjen e tyre me dy djem Paolin dhe Karlon, si dhe nënën e Aurel Kaçulinit Terezinën.

Terezina, lindur më 1938, mbeti një zonjë shkodrane e fortë, fisnike dhe krenare, mbartëse e karakterit të babait. Ajo u martua me radiologun e famshëm Zef Kaçulini, emër i shquar i mjekësisë shqiptare.

Nga kjo martesë ka lindur Aurel Kaçulini, intelektual, peshë e rëndë e kulturës dhe tani drejtues i shtëpisë botuese “Jozef”, ndër institucionet më serioze të botimeve në vend. Nëpërmjet tij, trashëgimia e Kamsit vazhdon: si kulturë, si shpirt qytetar, si pasion për librin dhe si ndjenjë e thellë misionare ndaj dijes.

Kështu, zinxhiri nuk u këput. Vijon e vijon nga Kolë Kamsi te brezat e sotëm, nga shkolla e Vlorës te auditorët moderne, nga dorëshkrimet e vjetra te botimet elegante të kohëve tona.

Kolë Kamsi në memorien e kulturës shqiptare

Është e vështirë të imagjinohet historia e arsimit tonë pa Kolë Kamsin. Është ndër ata emra që nuk bëjnë zhurmë, por shkëlqejnë me një dritë që nuk venitet. Nëse arsimi shqiptar është një ndër misionet më të rëndësishme të shtetit modern, atëherë njerëz si Kolë Kamsi, janë themeluesit e vërtetë të këtij tempulli.

Në duart e tij, gjuha shqipe nuk ishte vetëm objekt studimi, por edhe përkushtimi dhe vetmohimi. Folklori nuk ishte vetëm material etnografik, por edhe frymë e gjallë. Nxënësi nuk ishte vetëm dëgjues, por jetë që duhej ushqyer me kulturë, me moral dhe me horizont.

Kamsi nuk pati ambicie politike. Nuk kërkoi poste. Nuk jetoi me famë, por me një mision: t’i shërbente kulturës shqiptare. Jeta e Kolës është një mozaik veprash dhe jo vetëm të botuara, por edhe të jetuara. Aty ku të tjerët shohin detyrë, Kola shihte mision. Aty ku të tjerët shihnin punë, ai shihte trashëgimi. Dhe kështu nisi rruga e një prej figurave, që sot konsiderohet kapitull i artë i arsimit shqiptar.

E veçanta e Kolës ishte modestia. Ndoshta kjo e bën portretin e tij kaq të dashur. Nuk deshi duartrokitje, deshi të funksiononte puna. Nuk deshi tituj, deshi cilësinë. Nuk deshi të dukej, deshi të ishte. Kjo është arsyeja pse kujtimi i tij është sot i fortë, i ngrohtë, i plotë.
Nëse arsimi shqiptar ka disa gurë themeli, një prej tyre është vendosur nga Kola.

Njerëzit e tillë nuk harrohen kurrë. Njerëzit e tillë nuk ikin kurrë. Njerëzit e tillë mbeten si një libër që nuk mbyllet dot, sepse gjithmonë ka diçka për të lexuar.

Profili i një njeriu që e bëri Shqipërinë më të ditur

Kolë Kamsi ishte njeri i rrallë. Mësues që nuk rreshti së mësuari, një folklorist që i dha zë traditave, një përkthyes që solli botën në shqip, një studiues që çoi shqipen në botë, njeri i heshtur që la pas një bujë të madhe. Në jetën e tij relativisht të gjatë, nuk kërkoi asgjë për vete, por la gjithçka për të tjerët.

Në kohën e tanishme, kur shikojmë auditorët plot me studentë, bibliotekat tona, librat e gjuhës, studimet e folklorit, publiçistikën e hershme dhe veprat e letërsisë botërore në shqip, aty diku mes rreshtave, mes fjalëve, mes frymës është edhe ai.

Kolë Kamsi, dijetari i heshtur, biri i Shkodrës, themeluesi i arsimit modern shqiptar, njeriu që vdiq i qetë sepse bëri gjithçka mundi, në dobi të zhvillimit dhe përparimit të arsimit dhe kulturës shqiptare.

Ashtu siç e deshi jetën pa bujë, pa fjalë të tepërta, pa skena të mëdha, ashtu edhe kujtimi i tij sot ecën qetë, por fuqishëm. Në zemrat e atyre që e njohën, Kola ka mbetur si njeri i mirë, si mendje e pastër, si shërbestar i përkushtuar i dijes dhe i breznive që u rritën nën kujdesin e tij.

Shkodra e tij do të mbetet gjithmonë krenare, kolegët e tij gjithmonë mirënjohës, nxënësit gjithmonë borxhlinj të një shembulli të rrallë.

Kola jetoi me dinjitet, dha me përkushtim dhe mbeti si një gur i rëndë i palëvizur, jo sepse deshi të dukej, por sepse nuk kerkoi asnjëherë të ishte më pak se i ndershëm dhe i dobishëm.

Kola u largua siç jetoi, me personalitet. Por ajo që la pas nuk ikën. Ajo rri. Qëndron. Peshon. Dhe kjo peshë është nder, është kujtesë, është trashëgimi. Është emri i tij.

Bujar Qesja
Durrës: 12 dhjetor 2025