TIRANE – Kolegji Zgjedhor nisi sot shqyrtimin e kërkesave për ndarjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e administrates se KQZ për rritjen e numrit të KZAZ në 89 të tilla në gjithë vendin. 

Pas diskutimit në sallë trupi gjykues u tërhoq dhe vendosi të marrë parasysh kërkesën e administrates se KQZ.

Të pranishëm në seancë ishin përfaqësuesit e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso dhe përfaqësuesit e socialistëve, Eridian Salinji dhe Koli Bele. Relatori i çështjes në Kolegjin Zgjedhor është Andi Civici.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i përfaqësuesit të PS, Koli Bele. “Kolegji kapërceu kufijtë e ligjit, PS nuk ka problem numrat”, tha Bele për mediat. 

Sipas Kasos, rritja e numrit të qendrave të numërimit është domosdoshmëri, pasi do të sjellë rezultat më të shpejtë.” Aktualisht janë 66 qendra numërimi, janë të pamjaftueshme”- deklaroi Kaso.

Përfaqësuesit e PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë kërkuar ndarjen e territorit zgjedhor në 100 ZAZ, nga 66 që ka qenë në zgjedhjet e 2009. 

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në KQZ, e kundërshtuan këtë propozim duke e argumentuar me faktin se rritja e popullsisë nuk duhet të justifikohet me një numër më të madh ZAZ, ndërsa KQZ vetë kishte propozuar ndarjen në 76 zona. PD iu drejtua Kolegjit Zgjedhor pasi në KQZ nuk u arrit konsensusi nevojshëm. 

PD: NE DONIM PËRSHPEJTIMIN E NUMËRIMIT 

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Oerd Bylykbashi pas vendimit të gjykatës, deklaroi se qëllimi i mazhorancës ishte që Komisioni i Zgjedhjeve të administrojë procesin zgjedhor sipas standardeve që të mos përsëritej precedenti i zgjedhjeve të kaluara, ku numërimi zgjatej pafund. 

“Unë mendoj se propozimi i PD-së për ndarjen e ZAZ ishte plotësisht i bazuar në ligj, por synonte të nxirrte maksimumin e votave, që ato që u panë në vitin 2009-2010 të mos përsëriteshin më. Qëllimi ishte se propozimi ynë ishte formalisht që të përshpejtonte mënyrën e numërimit. E rëndësishme është se PD kishte një kërkese përshpejtimin e numërimit, që jo që ndodhi të mos ndodhte më. 
Detyra e Komisionit të Zgjedhjeve është të administrojë procesin zgjedhor sipas standarteve kombëtare. Qëllimi ynë ishte 100 ZAZ, sepse besojmë se shqiptarët nuk kanë pse të presim orën 22:00 të ditës së hënë, por të dalë brenda një ore nga mbyllja e procesit të votimit”,- tha Bylykbashi. 

KQZ

Në mbledhjen e datës 21 dhjetor 2012, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi projekt-vendimin e paraqitur nga Administrata e KQZ-së për ngritjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e vitit 2013. 

Në mbështetje të 180 dhe 27 pikat 2, 3 dhe 4 të Kodit Zgjedhor si dhe të dhënave të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për numrin e zgjedhësve në të gjithë vendin, Administrata i propozoi Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ngritjen e 89 ZAZ-ve në ndryshim nga 66 ZAZ që ishin në zgjedhjet ngritur në zgjedhjet e 2009. 

Gjatë diskutimit të këtij projekt-vendimi përfaqësuesit e partive politike PD dhe PS, i propozuan Komisionit ngritjen respektivisht të 100 ZAZ dhe 75 ZAZ në të gjithë territorin e Republikës. 

Pas diskutimeve të të gjitha propozimeve të përfaqësuesve të partive politike po edhe të anëtarëve të KQZ-së, kjo e fundit në unanimitet, me 7 vota pro, rrëzoi propozimin e PD e cila sugjeronte të ngrihen 100 ZAZ në të gjithë territorin e Republikës. 

KQZ gjithashtu rrëzoi me 4 vota pro dhe 3 kundër, edhe propozimin e PS e cila sugjeronte të ngrihen 75 ZAZ në të gjithë territorin e Shqipërisë.