TIRANË, 22 korrik 2013 – Kolegji Zgjedhor ka pranuar sot kërkesën e PS për të rrëzuar rinumërimin e votave nga KQZ-ja për Qarkun e Lezhës. Kolegji Zgjedhor është shprehur se rinumërimi për këtë qark është i paligjshëm.

Pranimi i kësaj kërkese e shndërron në nul të gjithë procesin e rinumërimit për Qarkun e Lezhës, duke mos lejuar që të ndryshojnë tabelat përmbledhëse për Lezhën.
Por ky vendim nuk prek ndarjen e mandateve për këtë qark, ato mbeten 4 me 3 në favor të koalicionit të djathtë. 
Nënsekretari për çështje zgjedhore të PS-së, Koli Bele menjëherë pas vendimit ka komentuar për mediat se Kolegji ka lexuar ligjin drejt, duke pranuar kërkesën e PS.
“E rëndësishme është që kolegji e lexoi ligjin ashtu sic është shkruajtur, konstatoi që veprimtaria e KQZ për rinumërimin ka qënë haptaz në kundërshtim me ligjin. KQZ e ka future këtë proces në një qorrsokak që fatmirësisht Kolegji e zgjidhi”, tha zoti Bele.
Bele shtoi më tej se ky vendim vlen edhe për Qarkun e Shkodrës, por u kundërshtua nga përfaqësuesi ligjor i PD-së Oert Bylykbashi. 
Sipas Bylykbashit vendimi i sotëm i kolegjit minon procesin ankimor dhe iu heq të drejtën edhe partive të tjera për të ankimuar. 
Ai shtoi se në Lezhë u faktua që PS-ja ka vjedhur votat dhe se PD po përgatit një kërkesë të re ankimore. 
“Vjedhje e hapur e 1200 votave është bërë nga PS në Qarkun Lezhë, i ka vjedhur një mandat PD. Por nuk mbyllet këtu, duke anuluar shkallën ankimore, praktikisht kjo ankesë do vijë në një formë tjetër”, tha ai. 
Sipas tij, ky vendim hedh një hije të rëndë mbi këtë proces.