· Kushëriri “amerikan” citon: Rama i var ujkut mëlçitë në qafë (he lets the wolf guard the sheep)
DURRËS, 20 mars 2014 –Nuk është e qartë pse Reuters-i në Shqipëri bën lajm shkarkimin, me të drejtë, të një nëpunësi të rëndomtë, që e agjencia e “gradon” si “shef të sigurisë kombëtare të ushqimit (the country’s food safety chief)”, kjo pas denoncimit të medies dhe opozitës.
Autori i lajmit është Benet Koleka, kushëri, nga ana e së ëmës, i Kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Nga ana tjetër, z. Rama është lakuar me qindra herë nga ish-kryetari i PD-së dhe ish-Kryeministri Sali Berisha për lidhjet e gjakut me ish-funksionarin e lartë të regjimit komunist shqiptar Spiro Koleka (1908-2001)
Kryeministri shqiptar shkarkoi të mërkurën [më 19 mars 2014] shefin e sigurisë kombëtare të ushqimit (the country's food safety chief) [në të vërtetë, përgjegjës i sektorit të ushqimit në drejtorinë e menaxhimit të riskut në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, pasi kryetar i AKU-së është z. Afrim Bakaj! – “Dyrrah”], pasi u zbulua se ishte arrestuar në vitin 2012 për prodhim pijesh alkoolike të falsifikuara në mënyrë artizanale [në shtëpi], njoftoi korrespodenti i Reuters-it në Tiranë, Benet Koleka.
“Aleksandër Kalemaj nuk u ndoq asnjëherë penalisht, por arrestimi i tij për përfshirje në veprimtari falsifikimi pijesh alkoolike, e ka vënë në pozitë të vështirë kryeministrin Edi Rama”, raporton i afërmi i z. Rama.
“Me kërkesë të Kryeministrit, nëpunësi Aleksandër Kalemaj është larguar nga detyra dhe nuk kryen më funksionet e përgjegjësit të sektorit të ushqimit, në drejtorinë e menaxhimit të riskut, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, citon Reuters-i një njoftim për shtyp të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
“Rama u detyrua të veprojë pasi media shqiptare zbuloi se Kalemaj ishte kapur nga policia në tetor të vitit 2012, me më shumë se 500 litra me alkool kontrabandë, ndër të tjera konjak e birrë”, thotë agjencia prestigjioze e lajmeve.
Ministria e Brendshme i konfirmoi Reuters-it se arrestimi kishte ndodhur 18 muaj përpara se Kalemaj të emërohej përgjegjës i sektorit të ushqimit në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut.
Koleka shkruan se “Opozita thotë se afera ka treguar dobësinë në mënyrën se si qeveria i përzgjedh njerëzit për poste të rëndësishme”.
Nuk dihet pse gazetari i Reuters-it kishte zgjedhur këtë frazë të opozitës ndaj kreut të Ekzekutivit: “Edi Rama flet gjerë e gjatë për meritë e profesionalizëm, merr shembuj nga Britania e Franca…, por kur vjen puna për emërimet e rëndësishme në poste delikate dhe me përgjegjësi të madhe publike, ai i var ujkut mëlçitë në qafë (he lets the wolf guard the sheep)”, tha deputetja e PD, Voltana Ademi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





