Kollitja e qëllimshme në mënyrë të vazhdueshme para kolegëve të tij, të cilët më pas rezultuan pozitivë me virusin Covid-19, i ka kushtuar shtrenjtë një 64-vjeçari në Singapor.
Pavarësisht se argumentoi se ai është kollitur thjesht për shaka, i moshuari ka marrë një dënim të shkurtër me burg.
Tamilselvam Ramaiya, punonjës në firmën e investimeve Leong Hup Singapore, u dënua të hënën me dy javë burg pasi mbi të rëndonte akuza se ka vënë në rrezik kolegët e tij dhe ka bërë që njëri prej tyre të infektohet me Covid.
Incidenti ka ndodhur gjatë një periudhe kufizimesh të shtuara në vjeshtën e vitit 2021 dhe akuza ndaj të pandehurit u ngrit bazuar në Aktin e Masave të Përkohshme Covid-19 të Singaporit.