Nga Doktor i Shkencave: Novruz Zejnati
Kolonel R.
Afro 100 vjet më parë, në një fjalim brilant në parlamentin e Shqipërisë, Fan Noli shigjetonte ashpër qeverinë e kohës dhe kryeministrin e saj Ahmet Zogun. Duke sulmuar zyrtarët e fuqishëm të qeverisë që ishin lidhur aq ngushtë me postet e tyre, Noli i quante ata kolltukofagë dhe me ironi shtonte se: “kolltukofagët tanë janë më të fortë se ai trimi i çartur i historianit të lashtë grek, Herodotit. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku, duhet t’u preç jo vetëm duart, por edhe këmbët e trupin…”. Çfarë po ndodh tek ne pas 100 vitesh nga fjalimi i famshëm i Nolit? –Pothuajse e njëjta gjë, por kolltukofagët tanë tashmë janë të një natyre tjetër. Dhe nuk janë thjesht kolltukofagë të zakonshëm, por nga ata të sërëve më të larta. Kolltuku si qëllim në vetvete është bërë obsesion duke nxjerrë nga vetja shumë personazhe të njohur në vendin tonë. Çfarë i duhet sot kolltuku Sali Berishës në moshën 77 vjeçare? Nuk besoj se do të kishte argumente të mjaftueshëm një vëzhgues i pavarur i aktualitetit politik që të më bindë se “Foltorja” e Berishës ka si qëllim modernizimin dhe hapjen e PD-së. Berisha aty ka qenë gjithmonë, në PD ose në prapaskenë, dhe në 8 vitet e fundit ishte ai që diktonte çdo gjë në PD, jo Lulzim Basha. Halli i madh që e ka zënë Berishën që pas shpalljes “Non grata” nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit, është diçka që kuptohet, por ai nuk po e bën këtë luftë në një moshë të tillë për të ardhmen e PD-së, por për ta pasur PD-në si një kobure kundër Ambasadës Amerikane në Tiranë. Është e kotë që të shtohet këtu fakti se Berisha i provoi të gjithë pikat kulmore të pushtetit (kryeministër dy herë dhe një herë President i Republikës) dhe s’kish ç’i duhej kjo marrëzi në moshën e pleqërisë.
E njëjta gjë ndodh edhe me partinë Lëvizja Socialiste për Integrim. Deri në 25 prill të këtij viti ishte një parti me një numër të madh deputetësh dhe e shtrirë në gjithë vendin. Sot u katandis me vetëm 4 deputetë, por kolltuku kalohet nga burri te gruaja dhe më pas, kur Presidenti të dalë nga zyra në të cilën qëndron prej 4 vitesh, të kthehet edhe një herë si më parë, në kolltukun e kuq të LSI-së. Edhe në nivel më të ulët në këtë parti, janë po të njëjtët njerëz që qarkullojnë, që kanë zënë nga një kolltuk secili dhe myken në pritje vit pas viti derisa rrota e fatit t’i rikthejë edhe një herë në pushtet.
Partia Socialiste është në pushtet dhe nuk dihet se çdo të ndodhë me Edi Ramën kur të mbarojë mandati i kësaj qeverie (apo nëse nuk e plotëson mandatin 4-vjeçar). Nuk ka deri tani të dhëna apo shenja se Rama do ta pasojë kreun e PS-së tek ndonjë tjetër nga radhët e socialistëve. Përse janë kaq të lidhur politikanët tanë me kolltukun? Përse nuk iu hapin rrugë të rinjve? Të gjitha partitë tona krysore kanë të rinj të spikatur që mund të marin drejtimin e tyre dhe të sjellin një frymë të re politike, një model të ri për ta zhdukur një herë e mirë frymën e konfiktualitetit që mbizotëron prej vitesh në skenën tonë politike. Kur do ta zbatojnë në praktikë qarkullimin e elitave, që aq shumë i nevojshëm është për të ecur përpara dhe jo për të mbetur në vendnumëro prej 30 vitesh? Për fat të keq, dy partitë tona kryesore, njëra e ashtuquajtur e majtë dhe tjetra e ashtuquajtur e djathtë, janë vetëm parti patronazhiste dhe që nuk kanë të bëjnë fare me parimet e demokracisë. Për sa kohë të vazhdojë një frymë e tillë qeverisje dhe politikbërje, kolltukofagët tanë modernë nuk do e lënë vendin të ecë përpara, gjithmonë në vendnumëro do të jetë