KOLUMBI– Ministri i Drejtësisë në Kolumbi, Ruth Stella Correa, ka bërë të ditur se projekt-ligji i ri për drogat pritet të legalizojë përdorimin vetiak të drogave sintetike, siç është ekstazia.
Propozimi pritet të zëvendësojë ligjet aktuale, që ndalojnë kokainën dhe marijuanën, edhe pse njerëzit nuk ndiqen penalisht kur zotërojnë sasi të vogla të tyre.
Legjislacioni në Kolumbi po rivlerësohet, në përpjekje për të ndalur përdorimin e drogës, trafikimin e saj dhe probleme të tjera të ndërlidhura. Kritikët thonë se përfshirja e drogave sintetike, thjesht sa do ta bëjë më konfuz debatin.
Ministri i Drejtësisë foli pas një takimi me komisionin e vlerësimit të politikave të qeverisë ndaj drogave, përgjatë 10 viteve të fundit.
Ish-presidenti Cesar Gaviria është pjesë e grupit, së bashku me një numër ekspertësh dhe akademikësh, që pritet të krijojnë një dokument me rekomandime brenda 8 muajsh.
Ruth Stella Correa theksoi se Gjykata Kushtetuese ka folur tashmë kundër kriminalizimit të njerëzve, që mbajnë sasi të vogla marijuane apo kokaine.
“Statuti i ri, që do të prezantohet në Kongres gjatë këtij mandati, ka për qëllim ta bëjë këtë autorizim konkret, por duke e zgjeruar atë me përfshirjen e drogave sintetike, në atë që përkufizohet si doza personale”, tha ministri.