Zhvillimet e fundit të sigurisë kanë qenë temë diskutimi në takimin që kryeministri Albin Kurti ka pasur të shtunën me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozcan Ulutas, ka njoftuar misioni i NATO-s në Kosovë.

Sipas njoftimit në platformën “X”, “komandanti i KFOR-it ka theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv me të gjitha institucionet e sigurisë, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”.

“Komandanti konfirmoi se KFOR-i po e monitoron situatën nga afër dhe mbetet i gatshëm të veprojë në përputhje me mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur drojën se Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja, pas hyrjes në fuqi të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, me të cilën valutë Serbia paguan serbët në Kosovë.

E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dhënë garanci se situata nuk do të dalë jashtë kontrolli si pasojë e ndalimit të dinarit serb.