Kombëtarja shqiptare e basketbollit e ka mbyllur me nder fushatën paraeliminatore të Botërorit 2027. Të besuarit e Erkand Karajt kanë siguruar një fitore të papritur në tranfertën e Austrisë, teksa ia dolën me rezultatin 67-78. Për kuqezinjtë kjo ishte fitorja e parë në paraeliminatore pas 3 humbjeve dhe nuk kishte si të mos festohej me tifozët të cilët ishin në Austri.

Edhe në dhomat e zhveshjes festa ishte e palimituar, pasi suksesi i kombëtares mungonte në 10 ndeshjet e fundit, ndërsa vetëm në nëntor të 2024 Austria kishte fituar në Shqipëri me rezultatin 63-99.

Lojtari i ndeshjes rezultoi basketbollisti Eldi Hysa, i cili realizoi 17 pikë dhe dha 5 asist, ndërsa bëri edhe 1 rebaund. Ky sukses ishte më shumë për të vendosur nderin në vend, pasi Austria kishte siguruar kualifikimin më herët, ndërsa dha sinjalin se ndryshimet te kombëtarja dhe basketbollistët e afruar japin optimizëm për të ardhmen.