Kombëtarja e femrave 19-vjeçare ka nisur punën për fazën eliminatore të Kampionatit Europian. Ekipi i drejtuar nga trajneri Nevil Dede është grumbulluar në Durrës. Shqipëria bën pjesë në një grup bashkë me Qipron, Serbinë dhe Skocinë. Ndeshjet do të luhen të gjitha në Tiranë nga data 14 deri më 19 shtator.
Në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit, trajneri Nevil Dede nuk vendos objektiva konkretë por thekson se Shqipëria do të kërkojë të përfaqësohet sa më mirë në këtë turne. Dede shtoi gjithashtu se gjatë kësaj jave skuadra do të bëjë edhe përgatitjet e fundit për të qenë e gatshme në 14 shtator.
Për këto sfida, Dede ka grumbulluar 14 lojtare, pjesa më e madhe e të cilave aktivizohen me skuadrat shqiptare.





