Prognoza, dilema, hamendësime, paragjykime nga më të ndryshmet, shoqëruan pragtakimin ndërmjet Shqipërisë dhe Qipros. Italiani Xhani De Biazi, që kishte premierën e tij në panikën kuqezi vrojtohej me kujdesin më të madh nga cilido tifoz, sportdashës, specialist apo zyrtar i FSHF-së. Pas dështimit në finalen e evropianit të fundit, ndeshja e së premtes në mbrëmje, që daton 7 shtator 2012, ishte fleta e parë e eliminatorëve për botërorin e vitit 2014 që zhvillohet në Brazil.
Kroati Josip Kuzhe dështoi në objektivat e tij dhe tani në “gijotinë” është paraqitur një tjetër jo shqipfolës, përfaqësuesi i futbollit të shtetit fqinj – italiani Xhani De Biazi. Pasi e hulumtoi futbollin shqiptar me protagonistët më të denjë brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ky italian i lyer me ngjyrat kuqezi, vendos në fushën e lojës këta 11-të futbollistë: Sajmit Ujkani në portë, Armend Dallku, Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Andi Lila në mbrojtje, Burim Kukeli, Ervin Bulku, Alban Meha, Emiljano Vila në mesfushë dhe Armando Sadiku dhe Hamdi Salihi në sulm. Tifozëria nuk i la vetëm djemtë e topkëmbës dhe dërgoi atë natë në Qemal Stafa plot 12.000 mijë përfaqësues të saj.
Kishte shumë rëndësi nisja, në këtë fazë të rrugës së gjatë të 10 ndeshjeve në grupin E. Në formacionin kryesor mungonte 35 vjeçari Erjon Bogdani dhe ‘polaku” Edgar Çani, dy titullarët e katër miqësoreve të italianit De Biazi. Revolucioni i futbollit shqiptar në këndvështrimin italian sapo kishte filluar.
Kjo kombëtare duhet të jetë ndryshe nga ato të mëparshmet dhe pse jo edhe të ëndërrojë për finalet e 2014-tës. Dhe që të jetë kështu, duhet të gjykohet ndryshe, të konceptohet dhe veprohet ndryshe dhe të ndodhë ajo dukuri historike e pazakontë, kualifikimi. Krahas Mërgim Mavrajt, De Biazi do të promovonte edhe dy kosovarë të tjerë. Ata janë Burim Kukeli dhe Artan Meha.
Burim Kukeli, lindur në Gjakovë me 16.01.1984. Është mesfushor mbrojtës. Luam me FC Zyrih. Karriera e tij kryesisht është zhvilluar në Zvicër.
Alban Meha i datëlindjes 26.04.1986. Luan si mesfushor sulmues. Karriera e tij është zhvilluar në futbollin gjerman. Aktivizohet tani me Paderborn, në të njëjtin ekip me durrsakun Edmond Kapllani. Prandaj edhe në stadium u mblodhën 12 mijë shqiptarë dhe brenda dhe jashtë trojeve kombëtare dhe Shqipëria mbajti frymën nga ora 20.30 deri në orën 22.15. Djemtë kuqezi meritonin vëmendjen e tyre, në këtë përurim të ndeshjeve në grupin E.
Barazimi
Dëshira e gjithsecilit u plotësua. Njerëzit në shkallët e stadiumit, protagonistët e lojës, shikuesit në ekranet e TV-ve që të gjithë ishin në delir. Fjala fitore zor se është lakuar më shumë se atë natë të paharruar të 7 shtatorit 2012. Fitore me rezultat bindës, 3 pikët e suksesit dhe kryesimi i grupit pas 90 minutave të para. Më mirë nuk ka si bëhet.
A ishte loja bindëse që argumenton fitoren? Kjo nuk merr rëndësi kushedi se çfarë, pasi në futboll është një sentecë e konfirmuar: Fituesi nuk gjykohet. Por më kujtohet edhe një thënie e famshme, me vulë tashmë qytetarie e durrsakut që nuk jeton më Hysen Qoshja që “goli të bën zotni”. Pas ndeshjes të gjithë futbollistët dhe mësuesi i tyre De Biazi ishin kryezotërinjtë e asaj nate.
Dhe kishin të drejtë. Fitorja gjithnjë çmohet, veçanërisht në hapin e parë të këtyre eliminatorëve nga më ambiciozet për kombëtaren shqiptare. Shënoi me kokë në pjesën e parë “zvicerani” Armando Sadiku dhe u ndëshkuam nga një gol “qorr” i qipriotit Vinsente, në sekondat e fundit të shtesës. Nga informacionet që kemi, atë sekondë janë ndjekur me mijëra baste të vendosura në formën 1-1(me fitore në të dy pjesët) për Shqipërinë, duke shprehur mërziti për këtë fat të mallkuar.
7 minutat e fatit
Barazimi i mërzitshëm dhe drithërues vazhdoi deri në minutën e 83-të. Zor se mund të ketë patur njeri deri aty mendje tjetër, se edhe De Biazi do të vazhdonte të “tradhëtonte” objektivat si “stërgjyshërit” e tij. Por fati ishte në anën e shqiptarëve.
Këta qipriotë të pafamë kërkonin surprizën, për të krijuar problemet e zakonshme që na kanë shoqëruar gjith-heri, që ky trajner nuk vlen, se kjo kombëtare nuk është më e mira, se jemi në të njëjtin avaz etj, etj. De Biazi shtrydh dituritë dhe luan fort nga bankina. Ka bërë ndryshimin e parë në minutën e 49-të, duke larguar Sadikun.
Shtatë minutat e fundit dhe brenda këtyre 420 sekondave do të ndodhte mrekullia. Do të vinin dy gola, që do të bënin zotni jo vetëm lojtarët, por edhe tifozërinë, të gjithëve ne që kishim mbajtur frymën dhe besonim tek mrekullia. Suksesi është futur në xhepin e kuqezinjve dhe epilogu i eliminatorëve flet shqip. Shqipëria ndodhet në vendin e parë
Është futur futbollisti i Lucernës Jahmir Hyka. Goli është përligjia e tij më e mirë. Dhe kjo nuk është pak. Diçka lëvizi, por jo tamam. Në minutën e 72-të, De Biazi hedh në lojë edhe stekën Erjon Bogdani dhe durrsaku i Pas Janinës Emiljano Vila pushon. Goditja e fundit ishte me Edgar Çanin në minutën e 82-të. Salihi nuk mundej më.
Minutat po kalonin dhe padurimi për të shënuar kishte kaluar kufijtë e durimit. Shtatë minutat e fundit dhe brenda këtyre 420 sekondave do të ndodhte mrekullia. Do të vinin dy gola, që do të bënin zotni jo vetëm lojtarët, por edhe tifozërinë, të gjithëve ne që kishim mbajtur frymën dhe besonim tek mrekullia.
Po më parë kishim shpëtuar nga një gabim i Vilës, ku topi i tij përplaset në shtyllë mu pranë rrjetës tonë. Oh, çfarë tensioni! Minuta e 84 do të “çante” stadiumin. Edgar Çani vendos kryet në vendin ku prodhohet goli dhe pas kësaj kërcitje e rrjetës. Delir! Dhe Bogu do të bënte hatanë pas 180 sekondave. Një trinë e fuqishme dhe topi prish merimangën e portierit me mbiemër grek Mostru.
Fitorja punë e kryer. Suksesi është futur në xhepin e shqiptarëve dhe epilogu i eliminatorëve flet shqip. Shqipëria ndodhet në vendin e parë. Bogu i kthen harenë shqiptarëve, në momente të trishtueshme për të. Gjyshja e tij mbyll sytë, në kohën kur ato i ka hapur më shumë se asnjëherë kombëtarja shqiptare. De Biazi do të pohonte nga lumturia: Vajza ime sot(me 7 shtator) mbush 20 vjeç. Fitorja, festa më e bukur edhe për të!
Helvetët
Tani përpara ndeshja me zviceranët. Luhet me 11 shtator në Lucernë. Të dy federata kanë filluar luftën e premiove. Brirët janë gati të përplasen dhe ato duhen joshur. Krerët e futbollit zviceran për fitoren ndaj shqiptarëve kanë vendosur 12 mijë franga, që do të thotë 9600 euro për çdo futbollist.
Dhe FSHF-ja përgjigjet me deklarimin më të fundit se për fitoren, në xhepin e çdo futbollisti do të shkojnë 3000 euro dhe për barazim 1000 euro. Nga burime të brendshme mësohet se në rast fitoreje, kuqezinjve do t’u shtohet dyfish kjo shumë, pra premio do të shkojë deri në 6000 euro duke pritur të shtohet edhe nga angazhimi i donatorëve të ndryshëm.
Nxitjet motivuese financiare janë në rritje. Trajneri zviceran gjermani Otmar Hitcfeld deklaron se na duhet fitorja për të ruajtur vendin e parë në grup, e “shqiptari” De Biazi kërkon të ndalet euforia e të shpresohet për tjetër arritje me helvetët. Ndërkohë mësohet se në stadiumin prej 12.000 mijë vendesh të Lucernës, më shumë se gjysma e të pranishmeve do të jenë shqiptarë.
Pritet të jetë një Shqipëri e vogël, për këtë kombëtare të madhe të Xhani De Biazit. Pritet me padurim 11 shtatori. Atmosfera është tejet e ndezur. Kemi të drejtë të vazhdojmë të besojmë, se kjo kombëtare tashmë është skicuar krejt ndryshe se sa më parë. Fitore apo barazim? Pse mos të ndodhë qoftë njëra apo tjetra. Kuqezinjtë tanë mund të shkojnë larg, më shumë se ç’është menduar për ta. Dhe kjo vërtet mrekulli.