17 maj 2014 – Miqësoret e Majit e gjejnë Shqipërinë me dhimbje koke nga infermieria, pasojë e dëmtimeve që kanë përfshirë futbollistët kuqezi në këtë fundsezoni me skuadrat e tyre, por më shumë se për takimet miqësore ndoshta Gianni de Biasi duhet të shqetësohet për startin e eleminatoreve të vitit të ardhshëm, ku jo pak lojtarë mund të jenë ende me paterica e në fazë riaftësimi. Hyka, i cili vetëm pak orë më parë ju nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në menisk nuk do të jetë i gatshëm për 3 muaj dhe e sigurtë është mungesa e tij në ndeshjet miqësore me Rumaninë, San Marinon dhe Hungarinë. Gjithashtu mund të mungojë dhe Roshi, që nuk do të jetë i gatshëm për 15 ditë, ndërsa dhimbjet e vërteta të kokës nisin me rastet e Migjen Bashës, Ledian Memushajt dhe Armando Sadikut, të tre 6 muaj larg fushave të lojës.

Me një llogari të thjeshtë, futbollistët ka pak gjasa që të jenë të gatshëm për ndeshjen me Portugalinë në shtator, ndërsa rrezikojnë dhe takimet me Serbinë e Danimarkën në tetor për eleminatoret e Euro 2016. Përvec këtyre tre emrave rrezikon gjithashtu dhe Etrit Berisha të mos luajtë, ndaj tre skuadrave të lartpërmendura por dhe në sfidën me Francën në muajin nëntor, në varësi të vendimit që do të japë Fifa mbi transferiminin e tij te Lazio gjatë verës së shkuar. Nëse qeveria e futbollit botëror do të vendosë në favor të klubit të Chievos, atëherë Shqipëria do të humbasë dhe një prej armëve më të forta të saj për startin e eleminatoreve, ku fillimi do të jetë vërtetë i vështirë për kuqezinjtë duke parë kalendarin dhe për De Biasin mund të ketë jo pak dhimbje koke në gjetjen e zëvendësuesve, sidomos në rastin e Bashës dhe Berishës që janë titullar fiks. Trajneri do të mbajë një konferencë për shtyp këtë të hënë ku do të shpalosë listën për miqësoret por mund të japë dhe më shumë indikacione rreth dëmtimeve në masë që kanë përfshirë kuqezinjtë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/