DURRES– Ekipi ynë kombëtar i peshëngritjes për të rritur është grumbulluar dhe po përgatitet për kampionatin europian, që do të zhvillohet në Shqipëri. Skuadra me emra si Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, si dhe kampion të tjerë, po stërvitet në ambjentet e pallatit të sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Nën drejtimin e trainerit të mirënjohur, Ilir Cela dhe stafit teknik, kampionët do përgatiten për të nderuar Shqipërinë, e cila është dhe vendi organizator. Madje ky fakt, sipas trajnerit, u ngarkon më shumë përgjegjësi atij dhe skuadrës, pasi do kërkojnë të renditen mes më të mirëve. Trajneri është shprehur optimist për gjendjen e çdo peshëngritësi dhe premtoi se ata do të bëjnë një paraqitje të mirë, ndërsa theksoi se do të marrin edhe medalje.

“Siç e shikoni jemi grumbulluar dhe po punojmë. Aktualisht jemi duke u përgatitur për kampionatin europian që do të zhvillohet në vendin tonë në muajin prill. Presim të bëjmë një paraqitje të mirë, për ta përfaqësuar sa më denjësisht vendin. Duke qenë se jemi vendi organizator, nuk duhet të zhgënjejmë. Në skuadër kemi sportistë të cilët me formën e tyre premtojnë për medalje”,- tha Cela.

Trajneri i kombëtares së peshëngritjes theksoi gjithashtu se të gjithë sportistët që janë pjesë e ekipit kanë bërë analizat për testin antidoping.

”Këtë radhë kemi marrë masa të rrepta, duke bërë herë pas here teste antidoping. Testin e fundit sportistët e bënë tri ditë më parë dhe do të presim analizat. Rezultati del pas 18 ditësh, deri atëherë jemi në pritje. Ne nuk dyshojmë se mund të ketë sportistë që do të dalin pozitiv, por gjithsesi, duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura më herët gjatë kampionatit botëror, ku një prej sportistëve u penalizua, jemi duke u treguar të kujdesshëm”,- përfundoi tekniku.