9 qershor 2015 – Afrim Taku dhe Arbnor Fejzullahu vishen kuqezi për herë të parë. Mesfushori i Tiranës dhe mbrojtësi i Partizanit shijuan debutimin në stërvitje me Kombëtaren e Shqipërisë pasi u grumbulluan nga trajneri Gianni De Biasi për miqësoren kundër Francës.

Dy lojtarët e Kategorisë Superiore u bashkuan me grupin kuqezi për seancën e parë stërvitore në kompleksin “Tropikal” ku bashkë me të rikthyerit Sabien Lilaj dhe Renato Arapi u vendosën fillimisht nën urdhrat e zv/trajnerit Paolo Tramezani. Trajneri De Biasi mungoi në 30 minutat e para të seancës pasi ndodhej në Tiranë për të tërhequr pasaportën shqiptare, por shumë shpejt u bashkua me grupin duke vijuar punën me seancën ku kryesisht u zhvilluan ushtrime taktike dhe u punua shumë me topin.

Grupi u stërvit i plotë dhe gjatë gjithë seancës të pranishëm në stërvitje ishin edhe pjesëmarrësit e kursit të UEFA-s për licencën A të trajnerit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/