TIRANE – Kombëtarja e Shqipërisë në futboll sonte lëshoi rastin për të përmirësuar sadopak renditjen në tabelën e FIFA-s. Megjithëse ishte një ndeshje miqësore, kombëtarja e Giani de Biasit u mposht në Tiranë nga Gjeorgjia dhe kjo ishte humbja e tetë nga kjo kombëtare, krahas tri fitoreve dhe dy barazimeve në takimet e deritashme të ndërsjella. 

Kuqezinjtë kaluan në epërsi në minutën e 26-të, me golin e shënuar me kokë nga Erjon Bogdani. Ky ishte goli i tij i 18-të me kombëtaren, në 72 ndeshje të zhvilluara, më shumë se askush tjetër, madje i paarritshëm për mjaft kohë, sipas të gjitha gjasave.

Por pas rreth 15 minutave rezultati u barazua. Në minutën e 41-të ndodhi një gabim i  pafalshëm në mesfushë, teksa Bakaj kishte tërë hapësirën e duhur për të vepruar vetë drejt portës kundërshtare, ai e ktheu topin prapa me fuqi jo të plotë, duke u rrëmbyer nga kundërshtarët, që dalin rrufeshëm në kundërsulm. Në superioritet numerik ndaj Currit dhe Osmanit, i futuri si zëvendësues për Gjeorgjinë, Vatsadze arriti të mposhtë Etrit Berishën. 

Në minutën e 82-të Gjeorgjia ia doli nëpërmjet Lobzhnaidzes të shënojë edhe një gol dhe të mbyllë këtë ndeshje me fitore 2:1.