Kombëtarja shqiptare, në shtator do të nisë rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”. Përballë Maqedonisë, kuqezinjtë do të dalin në fushë me një fanellë të re. Uniformat e reja të ideuara nga kompania “Macron” do të ketë disa ndryshime me ato që u përdorën në Europian. Mësohet se në fanellën e re, shqiponja ia ka lënë vendin disa rombeve, ndërkohë që stema e FSHF-së do të jetë në qendër të fanellës. Fanella e parë do të jetë e kuqja, ndërkohë që me fanellën e bardhë apo me atë të zezë, përfaqësuesja jonë do të luajë në transfertë. Si model është marrë fanella kroate, pasi konsiderohet me dizajnin më të bukur. Shtatori pritet të jetë një muaj i ngarkuar për futbollistët e drejtuar nga Gianni De Biazi dhe kompania që dizajnoi fanellat e kuqezinjve i ndryshoi sërish ato për një tjetër turne të rëndësishëm.
Në kualifikueset e “Rusi 2018”, Shqipëria e De Bazit është në një grup me Italinë, Spanjën, Maqedoninë, Izraelin dhe Lihtenshtejnin.





