TIRANE, 09 mars 2013-Valdet Rama do të veshë fanellën e kombëtares shqiptare të futbollit në ndeshjen kundër Norvegjisë, duke bërë debutimin e tij me kuqezinjtë. Mesfushori që ka kaluar te Real Vajadolid gjatë merkatos së Janarit, ka bindur trajnerin De Biasi i cili ka dhënë “ok” që ai të grumbullohet dhe të jetë një armë më shumë për takimin e Oslos.

Lajmi është dhënë nga mediat spanjolle, të cilat e kanë konfirmuar në burimet pranë klubit të tij. Rama ndiqej prej kohësh nga stafi i përfaqësueses shqiptare por vendimi për afrimin tij pranë kombëtares kuqezi është marrë pasi ai siguroi kalimin nga kampionati suedez në radhët e Real Vajadolid në Spanjë. Edhe pse nuk është aktivizuar ende me skuadrën spanjolle, ai pritet që shumë shpejtë të ketë mundësinë për të dhënë kontributin e tij në javët e mbetura të këtij sezoni, ndërsa kjo skuadër është qetësisht në mesin e tabelës së klasifikimit. Rama është një mesfushor krahu ofensiv dhe pritet që të jetë një alternativë më shumë për lojën e kuqezinjve në ndeshjen ndaj Norvegjisë.

Ndonëse De Biasi nuk ka publikuar ende listën e kombëtares, pritet që ajo të ketë më shumë lojtarë se zakonisht, pasi katër ditë pas takimit zyrtar me Norvegjinë, Shqipëria do të luajë një miqësore me Lituaninë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Kombëtares tonë në ndeshjen kundër Norvegjisë pritet t’i shtohet edhe mesfushori tjetër si Migjen Basha. Avokatët e tij pritet që të bëjnë përpjekjet e fundit për të bindur drejtuesit e FIFA-s që Basha të vishet kuqezi në javën e ardhshme është lënë takimi i fundit që do të vendosë përfundimisht nëse mesfushori nga Kosova do të bëhet pjesë e djemve të De Biazit në ndeshjen ndaj Norvegjisë në Oslo. Në federatën e futbollit janë të bindur se Basha do të jetë pjesë e kombëtares në impenjimet e radhës ndërsa duhet pritur vetëm vendimi i organizmit më të lartë të futbollit botëror që mesfushorit të Torinos t’i jepet e drejta për të veshur fanellën e kombëtares së Origjinës.