23 janar 2014 – Kombëtarja shqiptare pritet të luajë më 5 mars ndaj një superskuadre, siç është Kolumbia, e katërta në botë sa i përket renditjes së FIFA-s. Ndonëse nuk është ende zyrtare, pasi po punohet për detajet e fundit, burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se kompania, që po merret me organizimin e kësaj miqësoreje, e ka mbyllur thuajse kontratën me të dyja federatat përkatëse: shqiptare dhe kolumbiane. Ndeshja me shumë mundësi do të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës, kjo edhe për faktin se pjesa më e madhe e lojtarëve të të dyja skuadrave luajnë në kampionate në Europë. Në këtë këndvështrim, është më e lehtë zhvillimi i kësaj ndeshjeje. Kujtojmë se dy takimet e fundit të Kolumbisë janë luajtur pikërisht në Europë, pasi bëhej fjalë për dy miqësore: më 14 nëntor 2013 në Bruksel ndaj Belgjikës (fitoi 2-0 falë golave të Falkaos e Ibarbos) dhe më 19 nëntor ndaj Holandës (0-0). Kombëtarja kolumbiane është një nga më të mirat në botë për momentin, kjo nisur natyrisht nga paraqitja e jashtëzakonshme që kanë dhuruar lojtarët e kësaj skuadre në kualifikimet për Kupën e Botës “Brazil 2014”. Në këtë eveniment botëror Kolumbia është në një grup me Greqinë, Japoninë dhe Bregun e Fildishtë. Sipas kalendarit të përcaktuar tashmë, më 14 qershor Kolumbia do të luajë kundër Greqisë (pikërisht për këtë arsye ka zgjedhur të luajë një miqësore ndaj Shqipërisë, pasi i konsideron kuqezinjtë pak a shumë në një nivel me helenët), më 19 qershor ndaj Bregut të Fildishtë dhe më 24 qershor kundër Japonisë. Skuadra drejtohet që nga prilli i 2012-ës prej argjentinasit të mirënjohur, Jose Pekerman, ndërsa “ylli” i skuadrës është natyrisht sulmuesi i Monakos, Radamel Falkao (i dëmtuar). Përveç tij, lojtarë të mirënjohur edhe në Shqipëri që përfaqësojnë Kolumbinë, janë edhe: Pablo Armero (Napoli), Kristian Zapata (Milan), Fredi Guarin (Inter), Huan Guilermo Kuadrado (Fiorentina), Viktor Ibarbo (Kaljari), Teofilo Gutierrez (River Plejt), Xhekson Martinez (Porto), Luis Muriel (Udineze), Huan Kamilo Zuniga (Napoli), Elkin Soto (Mainc) etj. Shqipëria pat parashikuar të luante ndaj Hondurasit ose Bullgarisë, por në fund nuk u arrit një marrëveshje. Këto dy skuadra do të përballen me njëra-tjetrën. Ndërkaq, federata po vijon ende që të luajë me një top-skuadër, çka u konfirmua edhe nga trajneri Xhani De Biazi.
/Agjencia e lajmeve "Dyrrah" /





