12nentor 2015 – Kombëtarja Shqiptare zhvilloi seancën e fundit stërvitore përpara nisjes për në Kosovë. Rreth orës 11:00 të paradites së të enjtes, kuqezinjtë u bashkuan të gjithë në fushën e kompleksit stërvitor “Tropikal” në një seancë të ndarë në disa etapa.

Fillimisht, i gjithë grupi, duke përjashtuar këtu tre portierët, kryen disa ushtrime të lehta fizike nën drejtimin e përgatitësit atletik. Më pas, trajneri Gianni De Biasi i drejtoi lojtarët në një pjesë të fushës për të nisur punën me topin. Lojtarët u ndanë në dy skuadra dhe morën këshillat e rastit nga trajneri që preferoi ta vazhdonte seancën stërvitore me dyer të mbyllura për të caktuar edhe detajet teknike me skuadrën e tij.

Në krahun tjetër, Berisha, Hoxha dhe Shehi vijuan seancën stërvitore të veçuar. Në grupin e kuqezinjve ra në sy mungesa e Bekim Balajt që është larguar nga grumbullimi për shkak të problemeve fizike, ndërsa Amir Abrashi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit italian.

/portali DurresLajm/