Shqipëria e 19-vjeçareve shkëlqen në Itali aty ku fitoi turneun “Roma Caput Mundi”. Skuadra e drejtuar nga Erjon Bogdani u përball në finale me Rumaninë dhe arriti të triumfonte 2-0 me nga një gol në çdo pjesë për të sjellë në Shqipëri trofeun e 11 të këtij kompeticioni.

Gjatë fraksionit të parë ishte një autogol i Dima-s që zhbllokoi sfidën pas harkimit të Çelës, ndërsa në minutën e 32 të pjesës së dytë, Metolli vendosi në kasafortë fitoren e kuqezinjve. Ky është trofeu i parë i fituar nga 19-vjeçarët kuqezi në turneun prestigjoz të Romës dhe kjo fitore konfirmon momentin pozitiv që po kalojnë grupmoshat e Kombëtares Shqiptare si për femra ashtu edhe për meshkuj.

Vetëm pak ditë më parë dy skuadrat Kombëtare të femrave triumfuan në miqësoret respektive ndaj Malit të Zi. Ndërkohë, Kombëtarja Shpresa pas uljes në stol të Alban Bushit zhvilloi disa takime miqësore të suksesshme pak javë më parë. Ish ndihmësi i De Biasit ka injektuar gjak të ri në radhët e 21-vjeçarëve duke premtuar furnizim të vazhdueshëm dhe cilësor për Kombëtaren në të ardhmen.