Plot 2200 vjet më parë Plauti shkruante komedinë e tij “Binjakët”. Një natë më parë kjo shfaqje ngjarjet e së cilës zhvilloheshin në Epidamn, u vu në skenë në amfiteatrin e Durrësit.  

“Gjatë një feste të madhe në Sirakuzë, Itali, njëri prej binjakëve humbet. Ai gjehet nga një tregtar i pasur nga Epidamni, i cili e merr atë në shtëpinë e tij. Pas disa vitesh vëllai i rritur në Itali vjen të gjejë binjakun e tij.  Ai shkel për herë të parë në Epidamn dhe e konsideron qytetin si të magjepsur e të çuditshëm, plot me kurtizane, për shkak të situatave absurde që krijohen.   Ngjarjet ngatërrohen aq shumë pasi ai rastësisht shkon në të njëjtat vende ku pak më parë kishte qenë edhe i vëllai. Për ironi të fatit, të dy kanë të njëntin emër: Menhem.

Menhemi i rritur në Sirakuzë e gjen veten rastësisht në krahët e të dashurës së Menhemit durrsak, Erotikës, si edhe në krahët e gruas së tij, Luleborës. E teksa Erotika nuk kupton sjelljen e tj dhe e quan herë mashtrues e herë hamshor, Lulebora  dhe mamaja e saj e pandehin të çmendur, aq sa i marrin edhe një mjek.

Ai vendos të shtiret si çmendur derisa rastësisht shërbyesi i tij Mesenioni zbulon të vërtetën: Më në fund vëllai gjen vëllai, por në një situatë aspak të këndshme: Menhemi i Sirakuzës gjendet në shtratin e Luleborës. Pavarësisht kësaj Menhemi Epidamnas lumturohet  pas shumë vitesh gjen binjakun e tij”- është ky subjekti i komedisë së Plautit, i shpalosur mjeshtërisht e plot humor edhe nga aktorët.

Protagonistët kryesorë të shfaqes ishin: Romir Zalla që luan rolet e dy binjakëve, Bes Bitraku- Mesenioni, Amos Zaharia- Cilindri (shërbyes I kurtizanes Erotika), Marvin Tafaj- Furça (shërbyesi i Menhemit të rritur në Epidamn), Lulebora- Suela Bako (gruaja e binjakut të parë), Erotika- Adelina Muça 9 në rolin e kurtizanes), Sanie Hoti- vjehrra e Menhemit të parë dhe Muharrem Hoxha- doktori.

Kjo komedi me regji të Driada Dervishit, që u vu për herë të parë në skenë në qytetin e Durrësit, u prit ngrohtë nga publiku dhe aktorët u duartrokitën për disa minuta me radhë nga artëdashësit.

Kostumografia  me motive ilire dhe skena me kolona si ato antiket, ka kthyer spektatorët 2200 vjet pas, diku në një cep të Epidamnit të vjetër. Përderisa edhe Plauti i vendosi ngjarjet e një vepre të tij në Epidamn, padyshim që Durrësi ka qenë një pikë e fuqishme tregtare e kulturore edhe në kohërat e lashta.

Në kuadër të festivalit të filmit “ Verë në Epidamn”, komedia “Binjakët” do të vihet në skenë edhe mbrëmjen e së djelës, në orën 21.00.

R.O.