Komedia “Boeing Boeing” korr sukses në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në natën e parë të saj. Biletat janë shitur me shpejtësi për dy ditët e para, ndërsa prenotimet vijojnë edhe për netët e tjera. Publiku i cili mbushi sallën e teatrit ka ndjekur me kureshtje lojën teatriale të aktorëve të cilët shkaktuan mjaft ilaritet në sallë gjatë gjithë shfaqjes.

Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, përkthyer  nga Nasi Lera, dhe nën interpretim të shkëlqyer të aktorëve Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Andia Xhunga dhe Linda Jarani, komedia  u pëlqye nga të gjithë artdashësit.

Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit, i cili në të njëjtën kohë mban 3 të dashura. Jo një, as dy por tre kunguj në një sqetull kërkon të mbajë Bernardi, i riu që vjen në rolin kryesor të komedisë “Boeing Boeing”.

Shfaqja erdhi me mesazh bashkëkohor, drejtuar don-zhuanëve të cilët synojnë të mbajnë disa të dashura njëkohësisht. Por që në fund nuk mund të jenë iteneraret e njëjta, dhe në këtë mënyrë këta don-zhuanë përfundojnë ashtu sikurse e kishin merituar. Komedia do të jetë në teatrin “Migjeni” edhe në datat 23 dhe 24 nëntor.

K.H.