Një komedi keqkuptimesh, e stilit britanik, por me një tematikë të kudogjendur.

“Gruaja e burrit tim” korri sukses në premierën e saj në teatrin “Aleksandër Moisiu”, mbrëmjen e së mërkurës.

Nën regjinë e Kiço Londos, komedia solli për publikun durrsak plot situata që shkaktuan të qeshura në sallë dhe rrëmbyen duartrokitjet e spektatorëve.

“Është një vepër që ka korrur sukses të jashtëzakonshëm në botë. Në qendër është një burrë, që ka dy gra. Me njërën është martuar në kishë, me tjetrën është martuar në bashki dhe ka ndërtuar një jetë deri në një moment, ku për shkak të një veprimi bamirës (ndihmon një grua të moshuar, që po grabitej nga dy të rinj) ndodh një keqkuptim, shkon në spital, jep dy adresa dhe këtu fillon komedia”,- thotë regjisori Kiço Londo.

Xhejni Fama interpreton rolin e përsonazhit kryesor të komedisë, Xhonin, burrin me dy gra, asnjëra prej të cilave nuk ka dijeni për tjetër. Meqë interpretonte para publikut të qytetit të lindjes, emocionet nuk i mungonin.

“Sot paskam çuditërisht emocione. Premierën e kemi dhënë në Vlorë, por mesa duket ngaqë Durrësi është qyteti im ndjej më shumë përgjegjësi. Personazhi im është ai që shkakton gjithë ngatërresat. Është personazhi që ka dy gra dhe që i dashuron të dyja. Nuk është nga ata tradhtarët ordinerë. Është martuar me të dyja.”

Mes gënjeshtrave që nisin të shkërmoqen një e nga një dhe keqkuptimeve që sqarohen njëherë e mirë, jeta e dyfishtë e Xhonit merr fund.

“Gjithsekush do të marrë atë që meriton, atë që ka për risk. Sado që të mundohet, çfarëdo që të bëjë risku është ai që… Edhe unë pata risk të rrija vetëm me njërën, por për aq kohë sa ndenja me dy ishte mirë”,- thotë aktori Fama.

Komedinë brilante të autorit Ray Cooney, artdashësit durrsakë kanë mundësi të ndjekin edhe këtë mbrëmje, në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

M.B.