Komedia “Grepi i Artë” i gazetarit dhe publicistit të mirënjohur Bashkim Hoxha korri sukses në premierën e saj në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës mbrëmjen e së enjtes.
Me një humor fin, situata komike, ngatërresa por edhe numra muzikorë, trupa e aktorëve, solli për publikun durrsak një komedi përmes së cilës shënjestrohen fenomene shoqërore të realitetit shqiptar.
Me regji të Herion Mustafarajt, i cili njëkohësisht është edhe aktor në këtë pjesë teatrale, komedia përcolli problematika të realitetit shqiptar të ditëve tona përmes gjuhës së humorit dhe groteskut.
Mjeshtrja e madhe e humorit, Marjana Kondi, u shpreh e emocionuar për ngjitjen e saj të parë në skenë pas një vlerësimi të rëndësishëm profesional, që ju bë nga Presidenti i Republikës.
Problematikat dhe personazhet e komedisë, interpretimi realist i aktorëve, i ndërthurur me grotesken teatrale u pritën mjaft mirë nga publiku që duartrokiti këtë shfaqje të radhës të vënë në skenë në teatrin e Durrësit.