Një komedi situatash dhe keqkuptimesh u ngjit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit mbrëmjen e së premtes.
“Kujdes nga miku” sjell për publikun shumë nga problematikat e jetës familjare në ditët e sotme.
E gjithë komedia vërtitet rreth situatave plot humor e batura të krijuara mes dy çifteve, kur në mes futet një e tretë, që ka krijuar një lidhje jashtëmartesore me njërin prej dy shokëve të ngushtë.
“Sot shoqëria është pak e ngarkuar dhe komeditë janë ndoshta më komunikuese. Është një komedi që trajton tema të familjes, në këtë kohë që familja shqiptare ka krizat e saj. Kjo komedi i sjell këto problematika me gjuhën e humorit”,– deklaroi regjisori Armando Bora.
“Është një komedi që është plot situata dhe publiku shqiptar e ka vërtetuar gjithnjë e më shumë që është i apasionuar pas komedive. Mbase prej kohërave të trazuara që po jetojmë. Jemi popull që kemi nevojë të qeshim”,- shton një nga aktorët kryesorë, Amos Zaharia, i cili interpreton Dashnorin (Norin).
Mes batutave hidh e prit, situatave të papritura dhe lojës së bukur aktoriale, publiku në sallë ka mundësi, që për më shumë se një orë të argëtohet dhe qeshë pafund.
Për dy nga aktorët e njohur të humorit, Cubi Metka dhe Ledio Lako, kjo është hera e tyre e parë para publikut durrsak.
“Vi për herë të parë në teatrin e Durrësit, çuditërisht, nuk e di pse nuk kam pasur asnjëherë shfaqje këtu. Në të gjitha qytetet kam qenë, ndërsa në Durrës kam ardhur vetëm për të bërë plazh”,- tha aktorja Metka pak para shfaqjes.
“Duam ta kënaqim këtë publik, sepse në Durrës nuk kam qenë asnjëherë. Kam qenë vetëm në det, por në tokë jo. Me personazhin tim, Sokratin, mendoj se kam bërë një punë profesionale”,- deklaroi Ledio Lako, që në këtë pjesë personifikon burrin e ndershëm, që përfshihet në një sërë situatash të komplikuara prej mikut të tij, Norit.
Personazhi që i bën lëmsh të gjithë, Xhensila, shfaqet vetëm në skenat e fundit të komedisë, ku dhe gjithë rrjeti i gënjshtratev të njëpasnjëshme nis bie. Në fund triumfon familja apo lidhja jashtëmartesore e dashurisë?
Për ta mësuar këtë mjafton të jeni në teatër mbrëmjen e 3 nëntorit, pasi “Kujdes nga miku” vjen sërish në teatrin e Durrësit.
M.B.