Komedia "Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas!" është pritur mjaft mirë në Durrës. Në premierën e komedisë të autorit Jorgos Theodosiadis dhe me regji të Donard Hasanit dhe Valdrin Hasanit, salla e teatrit "Aleksandër Moisiu" ishte e mbushur plot me spektatorë, që në fund duartrokitën interpretimin mjaft të arrirë të trupës së aktorëve. 

Në komedinë "Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas!" interpretojnë Romir Zalla,, Ervin Bejleri, Alert Çeloaliaj dhe Jorida Meta.

Komedia në fjalë hapi programin artistik për muajin nëntor dhe do të mund të ndiqet edhe ditën e shtunë dhe të diel nga artdashësit durrsakë, në orën 19.00.

Kjo vepër teatrale është e katërta që vihet në skenën e Durrësit, që nga nisja e sezonit artistik dhe vjen pas komedisë "Revizori" të regjisores Driada Dervishi, pjesës "Eldorado" dhe tragjedisë "Salome". 

Vlen të theksohet fakti se të gjitha pjesët teatrale që janë vënë në skenë janë ndjekur nga një numër i lartë spektatorësh dhe salla e teatrit ka qenë përherë e mbushur plot duke dëshmuar se publiku durrsak e do teatrin.