Një çift të rinjsh, dashuria e të cilëve kundërshtohet nga prindërit, një doktor që akuzohet për përvetësim pronash dhe afera korruptive, një zonjë e internuar në Dyrrah, por që në fund zbulohet se është Ana Komnena, princesha e Bizantit.
Komedia “Princesha e Dyrrahut” i vendos ngjarjet në Dyrrahun e shekullit XII, por situatat dhe batutat mes aktorëve të sjellin edhe në realitetin e ditëve tona.
Kjo është premiera më e re e vënë në skenë mbrëmjen e së shtunës nga trupa e aktorëve të teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Një komedi eksperimentale e trajtuar në zhanrin “comedia dell’arte”, të cilën regjisori Vladimir Doda e solli për publikun durrsak.
Regjisori i ri është njëkohësisht edhe autor i tekstit dhe njëri prej aktorëve të pjesës teatrale.
Për aktoren durrsake Mimoza Marjanaku, alias zonja Lukrecia dhe princesha Ana Komnena, ky është një zhanër i ri edhe për aktorët e trupës por ajo është e sigurt se artdashësi durrsak do ta presë mjaft mirë.
Nëntë performues të maskuar vunë në skenë një histori dashurie, që kundërshtohej nga të rriturit, por që në fund gjeti një zgjidhje “deus ex machina”.
Me një qasje moderne, komedia e përshtatur në ditët e sotme, bëhet shumë aktuale dhe prek tema konkrete, si krimi i organizuar, pushteti, trafikimi e korrupsioni.
Kalimi në kohë bëhej përmes një personazhi karizmatik, aktorit Xhejni Fama, i cili shfaqej sa në një skenë në tjetrën duke shkaktuar të qeshura në sallë.
Komedia do të vihet edhe këtë të dielë në skenën e teatrit të Durrësit.