Publiku durrsak e ka pritur me interes të veçantë premierën e komedisë “Revizori”, e cila mbrëmjes e së premtes, çeli sezonin artistik në Durrës. Komedia satirike erdhi nën regjinë e Driada Dervishit me një konceptim të ri, ku ndryshimet në tekst synonin ta përshtasnin veprën me aktualitetin shqiptar të muajve të fundit.  

Pas një periudhë të gjatë ndërprerjeje, teatri “Aleksandër Moisiu” hapi dyert për të pritur spektatorët, që në fund duartrokitën lojën e bukur të aktorëve dhe mesazhin që tentoi të përcjellë vepra tek publiku.

Salla duartrokiti gjatë aktorët dhe regjisoren për komedinë, e shkruar në vitin e largët 1836, por që me ndryshimet e bëra erdhi aktuale dhe tentoi t’i fliste çdo qytetari me gjuhën e artit.

Një revizor shkon për të inspektuar në një qytet me administratë të korruptuar, me funksionarë të lartë të dalë në përgjime, me njerëz të futur në burg pas protestave. Çfarë do të vërë re ai aty, si do të sillet administrata, çfarë do të ndodhë në fund? Me lojën e bukur aktoriale, satirën dhe të qeshurat që shkakton në sallë "Revizori" i Durrësit është një ftesë për publikun që të reagojë ndaj fenomeneve të shëmtuara të realitetit shqiptar, me të cilin përballemi çdo ditë. 

Komedia satirike “Revizori” do të vijë për publikun edhe gjatë së shtunës në orën 19.00 dhe të dielën në orën 20.00.