Fundjava në amfiteatrin e Durrësit ishte sërish dedikuar teatrit.

Për të dytën herë brenda pak ditësh, trupa e Teatrit Kombëtar u ngjit në skenë, por këtë herë me shfaqjen “Ferma e kafshëve” me regji të Driada Dervishit.

Artdashësit e shumtë patën mundësi të ndiqnin komedinë e famshme satirike të shkrimtarit George Orëell, e konceptuar dhe e përshtatur që t’i fliste publikut shqiptar, për të përcjellë mesazhe të forta nga aktualiteti.

Për regjisoren Dervishi, e cila korri një sukses të padiskutueshëm me komedinë “Vanja & Sonja & Masha”, përgjatë javës së kaluar, ky sezon veror nuk kishte sesi mbyllej më bukur.

“Shfaqja u konceptua në fillim për t’u vënë në skenën e amfiteatrit të liqenit në Tiranë. Është shumë bukur që mund të shijojmë një nga kryeveprat e Orëell në atmosferën magjepëse të amfiteatrit të Durrësit”,- tha Dervishi.

Për aktorin e mirënjohur Neritan Liçaj rikthimi në Durrës dy herë brenda një jave, me dy shfaqje të ndryshme dhe mjaft impenjative është një emocion shumë i bukur.

“Janë dy zhanre të ndryshme teatri, por në thelb kanë një të përbashkët të madhe: Të dyja i flasin njeriut të ditëve të sotme. Është bukur të shohësh kohët tona në dy prizma të ndryshme, qoftë nga krahu i komedisë, qoftë nga krahu i komedisë së zezë, siç është “Ferma e kafshëve”. Është e mrekullueshme ta përjetosh këtë emocion si aktor, por edhe si qytetar”,– tha Liçaj për “DurrësLajm”.

Premierën e saj të parë në Durrës, komedia satirike “Ferma e kafshëve” e pari në shtator të vitit 2021. Kjo shfaqje është nderuar në festivalin “Kokofest” me çmimin për “Regjinë më të mirë” Driada Dervishi dhe “Aktorin më të mirë jo protagonist” Hervin Çuli.

M.B.