Të qeshura pafund, kjo është mëse e garantuar. Komedia fine franceze “Shtëpiakë të dëshpëruar” u prit mjaft mirë nga publiku durrsak.

Historitë e dashurisë të tre shokëve Xherom, Aleks dhe Stefan, të interpretuara me mjaft mjeshtëri nga Artan Imami, Gentian Zenelaj dhe Indrit Çobani, erdhën në formën e stand up komedi dhe plot batutave me shumë humor mes trios.

Ndërveprimi aktorial dhe kimia në skenë ishin ndër “armët” më të forta që garantuan suksesin e padiskutueshëm të komedisë.

Megjithëse e gjithë komedia interpretohet nga 3 aktorë meshkuj, prezenca e femrave ndihet në ajër, sepse ato janë aty në çdo bisedë apo hall që 3 shokët diskutojnë. Pavarësisht se së bashku ata shfaqen si meshkuj të fortë me gratë, të dashurat apo ish-et ata shfaqin anën e tyre më të dobët, gati-gati frikacake.

Komedia “Shtëpiakë të dëshpëruar” u kthye në Durrës disa muaj pas premierës së saj. Pas suksesit në mbrëmjen e të premtes, ajo rikthehet sërish në orën 19.00 të shtunën e të dielën për të korrur duartrokitjet e radhës të publikut. 

M.B.