Fotoja që qarkulloi sot në rrjetet sociale, dhe që mesa duket detyroi edhe vetë kryebashkiakun kryeqytetas të vërë dorën në zemër, është komentuar edhe nga Dom Gjergj Meta. Por, ai e ka parë atë në një këndvështrim krejt tjetër.
Ndoshta, në sytë e Dom Gjergj Metës, padyshim që plaka thoshte: “Fali, o Zot, se nuk dinë se ç’bëjnë.”
Në Tiranë, dikush fotografoi një punonjës të Policisë Bashkiake teksa gjobiste një plakë, që kishte dalë të shiste ca perime në një cep rruge. Plaka, krejt e pafuqishme ndaj shtetit me uniformë, vetëm sa shihte gjobën që po i vihej. Padyshim që aty ajo kishte dalë nga halli. Por, me shumë gjasë, edhe punonjësi i Policisë Bashkiake po nga halli e kishte.
Jo më kot, në profilin e tij në Facebook, Dom Gjergj Meta shkruan: “Nuk ka më keq se "lufta" ndërmjet të varfërve për të mbijetuar. Kjo foto është ikona e kësaj lufte: një grua dhe një inspektor, të dy të varfër për bukën e gojës e të shfrytëzuar… gruaja, po të mos dalë me shit perimet e veta të kopshtit, dhe inspektori, po të mos gjobisë varfërinë e saj, do të mbeten pa bukë. O njëri, o tjetra! Dhe mbi këtë pushteti këndon sukseset…”