Regjisori dhe aktori i njohur italian Michele Placido në një intervistë ekskluzive për Fax News foli për çështjen e Teatrit Kombëtar, duke e cilësuar shembjen e tij si një akt barbarie.
Placido, një nga personazhet më të dashur të shqiptarëve në rolin e komisar Katanit dhe një personalitet i kinematografisë italiane është prononcuar ekskluzivisht për Fax News në një lidhje telefonike duke mbrojtur kauzën e artistëve shqiptarë në mbrojtje të ruajtjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar.
“Vendin tuaj e kam njohur kur sapo kishte dalë nga regjimi komunist, ndërsa xhironim filmin “Amerika” dhe kam kujtime shumë të bukura. Kam vizituar gjithashtu dhe godinën e Teatrit Kombëtar, ndërtesë shumë e rëndësishme për artin dhe trashëgiminë e një vendi. Kam shumë vite që i kam humbur kontaktet me Shqipërinë, por mbështes çdokënd që përpiqet të ruajë trashëgiminë kulturore të vendit të tij”, tha Placido.
Por regjisori dhe aktori i njohur ka shkuar dhe më tej duke e cilësuar si një akt barbar shembjen e kësaj godine për të ndërtuar një të ri “në emër të artit bashkëkohor”:
“Shembja e kësaj godine do të ishte një akt barbar që do të shkonte kundër historisë së vendit tuaj, megjithëse nuk besoj se qeveria shqiptare do ta ndërmarrë një hap të tillë”.
Placido e kondiseron si një mision mbrojtjen e kësaj ndërtese dhe se politika duhet të ndalet dhe të kuptojë se sa e rëndësishme është për një vend pasja e një memorieje historike.
“Një vend nuk mund të ndërtohet duke shkatërruar ndërtesat e vjetra kulturore, sepse nuk është kjo mënyra se si ti i prezantohesh Evropës. Nuk mendoj se do ta bëjë këtë gabim qeveria shqiptare, sepse do të shkatërronte një pjesë të kulturës shqiptare.”– u shpreh regjisori dhe aktori italian Michele Placido.
Gjithashtu ky i fundit bëri dhe një premtim për artdashësit shqiptarë, sjelljen në Tiranë, në godinën ekzistuese të Teatrit Kombëtar të shfaqjes së Pirandelos.