Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp ka folur për portin e Durrësit, ku ndër të tjera tha se me këtë projekt, Rama do u vjedhë shqiptarëve 1.3 miliardë euro.
Berisha: Afera e Portit të Durrësit përbën dënimin më të rëndë pas ndërtimit të bunkerëve nga Enver Hoxha për taksapaguesit shqiptarë. Ju të gjithë jeni dëshmitarë se kur Edi Rama informoi publikun se do ndërtonte Dubai Sitin në Portin e Durrësit, ai deklaroi në mënyrë të përsëritur se për portin tjetër, taksapaguesit shqiptarë nuk do shpenzojnë një qindarkë.
Pra, sipas tij, portin tjetër do e ndërtonte privati.
E vërteta është se me Dubai Sitin e Durrësit, shqiptarët plaçkiten më shumë se kurrë përveç bunkerëve në historinë e tyre.
Territori tokësor dhe ujor i portit me mbi 1 milion e 400 mijë metër katrorë tokë, iu dhurua Alabarit dhe Edi Ramës, ndërkohë që vlera e tij është të paktën 3.8 miliardë euro.
Ai territor u dhurua për ndërtimin e 12.500 apartamenteve dhe 6 hoteleve me 6 yje, ultraluksoze, dhe ndërtimin e marinës ndër më të mëdhatë në Mesdhe. Pra, de facto ndërtimin e një parajse që përveç familjeve të emirëve të Emirateve të Bashkuara apo ndonjë tjetër, askush nuk mund ta kishte.
Porti mijëvjeçar i Durrësit, për Edi Ramën, do ndërtohej në Porto Romano dhe në shkelje të çdo ligji, ndryshoi ligjin e prokurimeve me një kompani të njohur holandeze, përsëri në shkelje të ligjeve, porositi projektin prej 12 milionë eurosh.
Informoi publikun, hapi tenderin dhe tha se 5 kompani të mëdha botërore i kemi të listuara për ndërtimin e portit në Porto Romano. Por në ditën e mbylljes së tenderit, asnjë kompani nuk u paraqit për të marrë pjesë në këtë aferë monstruoze të Edi Ramës dhe unë i përshëndes ato.
Sipas projektit të kompanisë holandeze, porti i ri do të kushtojë 1.3 miliardë euro. Kjo është gjoba më e madhe në histori ndaj shqiptarëve. Ky është një fond i barabartë me rritjen 150 përqind, mos më shumë, të rrogave të shqiptarëve. Ky është një fond i barabartë me rritjen 100 përqind të pensioneve të shqiptarëve. Dhe të gjitha këto vetëm për parajsën e Edi Ramës.
Ky është një krim që i tejkalon çdo proporcion.
Tenderi i hapur, siç e dini, ishte rreth 400 milionë euro, në një kohë kur pensionistëve, me pensionet më të ulëtat në botë dhe me çmimet më të lartat, unë ftoj mediat t’u tregojnë të vërtetën e çmimeve shqiptarëve krahasuar me Greqinë, Italinë dhe Gjermaninë. Sot në Greqi, çmimet e ushqimeve bazë janë deri 80 përiqnd më të ulëta se në Shqipëri.
Kështu janë në Itali, Gjermani. Ushqimet bazë dhe produktet bazë në Shqipëri janë 10 deri në 250 përqind më shtrenjtë se mesatarja e tyre në BE. Një pensionisti i mbahen nëpërmjet TVSH-së, sipas përllogaritjeve të TVSH, i mbahen në vit 450 mijë lekë. I mbahen të paktën tre pensione dhe Edi Rama përcakton për t’u vjedhur shqiptarëve 1.3 miliardë euro. Do krijohet një komision parlamentar me emergjencë për këtë aferë që tejkalon çdo lloj limiti, që vjen pas bunkerëve. U kushton pas bunkerëve të diktatorit Hoxha, më shumë se gjithçka tjetër taksapaguesve shqiptarë.