Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Shqipëri, Besnik Dervishi thotë se shkelja e të drejtës së informimit vijon të mbetet problematikë në Shqipëri, për shkak të pamundësisë së qytetarëve, gazetarëve apo shoqërisë civile për të marrë informacion nga ana e institucioneve shqiptare, brenda parashikimit ligjor. Vitin e kaluar, institucioni i tij mori 1089 ankesa për shkelje të së drejtës për informim. Në intervistën për Zërin e Amerikës ai shprehet i shqetësuar edhe për shkeljen e të drejtave të të dhënave personale dhe flet ndër të tjera edhe për aplikacionin “Aktivisti” të PS. Ai tha se zyra e tij ka trajtuar rastin duke dhënë përgjigjet dhe rekomandime përkatëse pas shqetësimeve nga shoqëria civile dhe disa aktorë politikë.
Zëri i Amerikës: Zoti Dervishi, vitin e kaluar ju morët afro 1 mijë e 100 ankesa për shkelje të së drejtës për informim. A po përkeqësohet gjendja mbi të drejtën e informimit?
Besnik Dervishi: Unë mendoj që natyrisht ka një problematikë për sa kohë që vijnë dhe ankesa tek zyra e Komisionerit sepse që të vijnë ankesa te zyra e Komisionerit natyrisht që një autoritet publik duhet ta ketë refuzuar më pare dhënien e informacionit. Por natyrisht mund ta shikojmë nga njëra anë si problematike, por nga ana tjetër edhe si një ndërgjegjësim, si një diçka pozitive, si një ndërgjegjësim të lartë të qytetarëve, të medias, kryesisht të medias investigative dhe veçanërisht edhe të shoqërisë civile.
Sipas statistikave që ne përpunojmë në zyrën e Komisionerit, gjysma, ose shpesh herë ndodh, edhe më shumë se gjysma e ankesave për refuzim informacioni që paraqiten pranë zyrës së Komisionerit janë të dërguara kryesisht nga shoqëria civile si dhe rreth 20-25% të tyre nga media, pjesa tjetër është që dërgohet drejtpërdrejt nga qytetarët, aq sa është e mundur të jetë e identifikueshme.
Pra ka një problematikë shumë të madhe sepse nga njëra anë në qoftë se autoritetet do të funksiononin shumë mirë dhe ta jepnin informacionin, nuk ka pse të vijnë ankesa pranë Komisionerit, por nga ana tjetër për shkak të mangësive, të pamundësisë apo dhe shkaqe të tjera të cilat ne nga viti në vit jemi përpjekur që t’i pqë t’i përpunojmë, t’i bëjmë prezente dhe t’i reflektojmë gjithmonë në raportin që paraqet zyra e Komisionerit përpara Kuvendit të Shqipërisë. Ne cilësojmë dhe problematikat përse është ky numër ankesash.
Pra, duhet t’i shikojmë të dyja anët, nga njëra anë po ka problem pse vijnë kaq shumë ankesa, por nga ana tjetër një pjesë e mirë prej tyre janë për shkak edhe të ndërgjegjësimit që vetë qytetarët apo grupet e interesit tashmë kanë për të drejtën për informim.
Zëri i Amerikës: Ju e përmendët edhe vetë zoti Dervishi, e thonë dhe raportet, që gazetarët janë ata që vazhdimisht shprehin shqetësim për mungesën e përgjigjes nga ana e autoriteteve në kërkesat që ata dërgojnë për të marrë informacion. Qeveria siç e dimë ka ngritur edhe një agjenci të posaçme për këtë qëllim, atë të informacionit, por gjendja mesa duket dhe sikurse dhe ju thoni, nuk është përmirësuar. Si mund të mbahet qeveria përgjegjëse për të përmbushur në fund atë që është një detyrim ligjor?
Besnik Dervishi: Natyrisht se si funksionon agjencia apo se si organizohen organet qeveritare kjo nuk është detyrë e komisionerit. Ajo që komisoneri vëzhgon, monitoron dhe natyrisht merr dhe ato masa të cilat janë të parashikuara nga ligji ose bën rekomandimet e nevojshme për aq sa i ka dhënë kompetencë ligji, në shikojmë veprimtarinë e autoriteteve publike. Të paktën në funksionimin e agjencisë, ajo që është prezent në aktin ligjor me të cilin funksionon agjencia është një lloj ndihme, rregullimi dhe unifikimi i qëndrimeve gjithmonë në funksion të dhënies së informacionit nga ana e qeverisë për grupet e interesit dhe për atë që është i interesuar, pra atë çfarë bën qeveria, për problematikat që has qeveria, për sukseset që has qeveria dhe ky është problem të themi i ekzekutivit. Dhe kjo punë nuk lidhet drejpërdrejt me atë të komisonerit. Komisioneri e mbikqyr agjencinë njëlloj si autoritetet e tjera publike sepse edhe agjencia është një autoritet publik në kuptim të Ligjit për të Drejtën e Informimit. Disa herë, jo shpesh për hir të së vërtetës, mund të kemi patur 2-3 aneksa edhe ndaj Agjencisë për mosdhënie apo refuzim informacioni. Natyrisht duhet vlerësuar dhe një gje që unë e konsideroj pozitive sepse vërtet kanë ardhur tek zyra e Komisionerit, për precision 1089 ankesa, janë trajtuar vitin e kaluar, por ama rreth 70% e tyre kanë përfunduar pa qenë ne nevojshme që Komisoneri të dalë me aktin përfundimtar sepse menjëherë me bërjen prezent nga zyra e Komisionerit ndaj autoriteti publik, ndaj një ministrie, kryeminsirisë, ndaj agjencisë, ndaj çdo autoriteti, një bashkie, ka patur një reagim të menjëhershëm. Ndoshta dhe janë konsultuar, ndoshta nuk ka qenë qëllimi i tyre refuzimi i informacionit, por shpesh herë edhe një përgatitje profesionale.
Zëri i Amerikës: Shqetësimi është që informacioni të merret në kohë…
Besnik Dervishi: Pikërisht kjo është pika tjetër që unë doja ta prekja. Shpesh herë gazetarët e duan informacionin brenda ditës, sepse ikën lajmi, ikën rëndësia dhe aktualiteti i lajmit.
Kjo është diçka që nuk e rregullon ligji për të Drejtën e Informimit. Sepse ne shpesh e shikojmë Komisionerin për të Drejtën e Informimit edhe si Komisioneri i Lirisë së Shprehjes, nuk e kemi këtë kompetencë.
Ligji e përcakton shunë qartë që autoriteti publik ka të drejtën dhe detyrimin që brenda 10 ditëve pune të japi informacionin. Nuk ka arsye që informacionin që mund të jepet brenda ditës të mos e japim brenda ditës, por të marrin 10 ditë pune ta japin ditën e 10. Ne jemi përpjekur ta kultivojmë këtë gjë, siç nga ana tjetër dhe kur vijnë ankesat te zyra e Komisionerit, ne kemi 15 ditë, që të bësh gjithë procedurën, që nga njohja me problematikën dhe deri tek inspektimi kur është e nevojshme, tek seanca dëgjimore apo arsyetimi i vendimit, 15 ditë janë shumë pak për hir te zë vërtetës dhe ne në rang global kemi afatin më të shkurtër për sa i përket trajtimi të kësaj.
Por këtu është kjo, kontradiktë, mund ta quajme, por është shumë ta quajmë kontradiktë. Është nevoja e gazetarit që ta ketë lajmin brenda ditës dhe naga ana tjetër ajo çfarë parashikon ligji për të Drejtën e Informimit, për të cilin Komisioneri nuk mund të ndërhyjë më shumë se sa parashikon ligji.
Zëri i Amerikës: Zoti Dervishi, Kohët e fundit në Shqipëri kanë ndodhur disa rrjedhje masive informacioni me të dhëna personale, si ato mbi pagat dhe targat e automjeteve. Po ashtu dolën në publik listat me të dhënat e banorëve të kryeqytetit në duart e patronazhistëve të PS-së. Edhe së fundi ka dalë një shqetësim mbi aplikacionin “Aktivisti” të PS-së. Sa të shqetësuar jeni ju për rrjedhjen e të dhënave personale në publik dhe si mund të mbrohen ato?
Besnik Dervishi: Unë ju falenderoj shumë për këtë pyetje. Për hir të se vërtetës ne si institucioni përgjegjës jemi shumë të shqetësuar, por edhe të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë duhet të jenë të shqetësuar. Duhet të jemi të shqetësuar nga të dyja anët, në radhe të parë për ndërgjegjësimin tonë si qytetarë, sepse duhet ta pranojmë dhe unë e kam kurajon që ta them, ne nuk e kemi kulturën për mbrojtjen e të dhënave personale, të mbrojtjes së identitetit tonë. Çfarë janë të dhënat personale? Emri, mbiemri, datëlindja dhe çdo e dhënë tjetër që ka të bëjë me formimin tonë, me personalitetin tonë, me bindjet tona.
Për hir të së vërtetës ne nuk e kemi këtë kulturë të mbrojtjes së identitetit dhe të dinjitetit tonë.
Zëri i Amerikës: Është vetëm përgjegjësi e qytetarëve zoti Dervishi?
Besnik Dervishi: Jo absolutisht, kjo është njëra anë. Ana tjetër, që është po aq e rëndësishme, mbase edhe më e rëndësishme, është pjesa e kontrolluesve, që janë kontrolluesit publikë dhe kontrolluesit privatë. Kontrolluesit publikë janë institucionet dhe çdo institucion që përpunon të dhëna personale ka detyrimin kushtetues që t’i përpunojë ato në mënyrë të ligjshme dhe t’i mbrojë ato.
Zëri i Amerikës: Si mund të bëhet mbrojtja?
Besnik Dervishi: Përse ka ndodhur? Natyrisht, nuk ndalohet përpunimi i të dhënave personale, sepse të ndalosh përpunimin e të dhënave personale, domethënë të ndalosh jetën shoqërore, të ndalosh zhvilliin ekonomik, çdo gjë, sepse sot, pa të dhëna nuk funksionon asgjë. Por është detyrimi kushtetues, është neni 35 i Kushtetutës, gjithashtu edhe ligji që është në fuqi sot për Mbrojtjen e të Dhënave Personal eqp përcakotn rregulla të qarta se si ruhen dhe përpunohen ato.
Zëri i Amerikës: Fjala është për një përpunim të paligjshëm të të dhënave…
Besnik Dervishi: Kontrollues janë dhe partitë politike të cilat kanë të drejtë t’i përpunojnë të dhënat personale sepse kanë anëtarësinë e tyre, kanë të drejtë në bazë të Kodit Zgjedhor të marrin listat e zgjedhësve, meqë jemi dhe në fushatë zgjedhore tani dhe shumë parti politike, qoftë dhe kandidatë kanë bërë kërkesë për marrjen e lsitave të zgjedhësve, por duhet t’i përpunojnë ato në mënyrë të ligjshme.
Dhe për rastin konkret që ju përmendët, patronazhisti, apo “Aktivisti”, edhe për mos t’u zgjatur këtu megjithëse unë jam në dispozcionin tuaj, keni aktet e Komisionerit të cilat janë publike. Në rastin e patronazhistëve, zyra e Komisionerit ka dalë me vendimmarrje konkrete të cilat janë bërë publike që në kohën e duhur, në kohën kur ka përfunduar hetimi administrativ brenda viti që ka ndodhur, ka dhe një relacion ku shpjegon të gjithë atë çfarë ka ndodhur.
Gjithashtu ne edhe për “Aktivistin” kemi trajtuar një sensibilitet qoftë të një grupimi të shoqërisë civile, qoftë edhe të disa përfaqësuesve politikë të një partie politike. E kemi trajtuar, e kemi vlerësuar, kemi dhënë përgjigjet përkatëse, kemi bërë rekomandimet përkatëse. Kjo është ajo çfarë mund të bëjë Komisioneri, monitoron, konstaton shkeljet dhe kur ka vende vendos edhe sanksione, ose masa e fundit është urdhërimi i bllokimit kur kemi të bëjmë me shkelje të rëndë. Ne kemi marrë dhe masa, kemi vendosur dhe sanksione të rënda edhe ndaj institucioneve shtetërore.
Gjithmonë koha kur flasim për të drejtën e informimit ose mbrojtjen e të dhënave rrjedh shumë shpejt. Shpresoj të kemi raste të tjera. Zyra e Komisionerit gjithmonë do të jetë në dispozicion të çdo qytetari, të shoqërisë civile dhe veçanërisht të medias, sepse roli juaj është i pazëvendësueshëm në bërjen publike që kemi vetë qp nga qenia qyetarë, por dhe në atë që duhet t’i kërkojmë llogari çdo autoriteti publik. /VOA