Tiranë, 5 mars 2014 – Eurokomisioneri i Zgjerimit, Stefan Fyle pritet të mbërrijë të enjten në Tiranë, ku do të zhvillohet takimi i dytë në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Sipas zyrës së shtypit të BE-së, “Komisioni Evropian dhe Komisioneri personalisht mbeten shumë të angazhuar për të vazhduar punën me Shqipërinë në rrugën e saj për në BE, duke përfshirë edhe Dialogun e Nivelit të Lartë, i cili ishte nisur me sukses vitin e kaluar për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit evropian”.
Dialogu i Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian pritet të nisë në orën 10:45 dhe do të zgjasë deri në orën 13:30, në hotel ‘Sheraton’ më pas pritet një konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit Stefan Fyle.
AXHENDA
Komisioneri Fyle takon kryeministrin Rama në orën 08:30
Takimi Fyle-Bushati në ambientet e Ministrisë së Jashtme në orën 09:10
Nesër në orën 10:45 tryeza e dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE.
Reagimi i opozitës për vizitën e Stefan Fyle
Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu akuzoi kreun e qeverisë, Edi Rama se ka refuzuar kërkesën e opozitës për të qenë pjesë e këtij dialogu. Në një deklaratë për shtyp, ish ministrja Bregu tha se pavarësisht përgjigjes negative të Kryeministrit, Partia Demokratike do të jetë në tryezën e nesërme të dialogut me Bashkimin Europian.
“Pavarësisht nga ky qëndrim i maxhorancës qeverisëse, në përputhje me angazhimin tonë se si opozitë do të mbeshtesim pa kushte procesin e integrimit të Shqiperisë në BE, në respekt të arritjeve që ky proces ka njohur gjatë qeverisjes sonë, por mbi të gjitha, në respekt të aspiratës së palëkundur të qytetarëve shqiptarë për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa, opozita do të jetë nesër e pranishme në Dialogun e Nivelit të Lartë.”- tha Bregu, e cila ftoi Ramën që t’i bashkohet kërkeses së opozitës për një Dialog të Nivelit të Lartë, publik e me praninë e medias.
Bregu tha se opozita do të jenë nesër në këtë takim, për t’i përsëritur qeverisë shqiptare se respektimi i standarteve evropiane është i domosdoshëm për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave, si dhe për t’i bërë me dije edhe palës evropiane se shkelja e kushtetutës, ligjit, mosrespektimi i vendimit të gjykatave, dhunimi i institucioneve të pavarura, shkatërrimi i administratës, shkallmimi i konsensusit politik, janë arsyet reale që po e dëmtojnë ecjen përpara në procesin e integrimit evropian.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





