Komisioneri i ri europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič ishte paraditen e sotme në Durrës, në takim me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë bisedës për të ndihmuar për situatën pas tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoi 51 ëviktima dhe rrënoi mijëra banesa, komisioneri ka garantuar bashkëpunim, solidaritet dhe ndihmë.

“Prania ime tregon solidaritet. Synimi është që Shqipëria të mos ndjehet se këtë situatë do e kalojë vetëm. Kemi një angazhim të fortë e solid për të bërë gjithçka që është e mundur në këtë situatë të vështirë”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, teksa ka dëgjuar live nga kryeministri të dhënat e fundit lidhur me bilancin e dëmeve dhe planin për rindërtim në zonat e shkatërruara, Janez Lenarčič ka dhënë një porosi, duke tërhequr vëmendjen për kujdes.

“Do t’ju inkurajoja që të shihnit këtë pjesë të rindërtimit në një këndvështrim më të gjerë duke përfshirë edhe përmirësime në fushën e parandalimit dhe parapërgatitjes, dikur dhe do Zoti sa më larg të jetë e mundur por do të ketë tërmete”, tha ai.

Pas tij, ka ndërhyrë Rama duke thënë: “Aman ju lutem mos e thoni se do të ngelet në lajme, jo nuk do të ketë tërmete fare. Natyra bën të sajën, por ajo që thatë ju në lidhje me planin është tërësisht thelbësore, kemi pasur përmbytje që kanë shkaktuar dëme të mëdha, edhe ato janë fatkeqësi natyrore, e do të ishte mendjelehtësi nëse nuk do ta mendonim. Ne nuk parandalojmë tërmetet por duhet të parandalojmë dëmtimet e shumta. Këtu situata është e tillë, njerëzit janë shumë të tensionuar dhe nën presion”.

Eurokomisioneri e pyeti Ramën se cili është shqetësimi kryesor që qeveria do të zgjidhë pas përfundimit të fazës së kërkim-shpëtimit. Kreu i qeverisë sonë theksoi se dëshirojnë një tranzicion të qetë për personat që tashmë kanë ngelur të pastrehë pasi rindërtimi kërkon kohë.

Ai i ndau në dy kategori njerëzit që janë në nevojë, ata që banojnë në zonat urbane dhe ata që banojnë në zonat rurale. Për të parët, kreu i qeverisë tha se kanë gjetur zgjidhje duke i strehuar në hotele. Për kategorinë e dytë kërkoi më shumë çadra dimërore pasi njerëzit që jetojnë në fshat nuk mund të largohen nga tokat dhe bagëtitë.

Eurokomisioneri Lenarčič theksoi se Bashkimi Europian e kupton që Shqipëria ka nevojë për ndihmë dhe kjo ndihmë do të vijë.

“E kuptojmë tërësisht dhe ajo që kemi parë edhe nga bisedat që ke bërë nga Von Der Leyen. BE e kupton që Shqipëria ka nevojë për ndihmë dhe kjo ndihmë do të vijë. Është e rëndësishme që të kalojmë këto faza. Ishte e rëndësishme që të kuptoja gjënë e çadrave sepse është e kuptueshme për zonat rurale. Ka reagim edhe për këtë çështje. Pastaj ne presim me padurim pjesën e vlerësimit të dëmeve”, tha Lenarčič.