TIRANË – Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muiznieks, ka kërkuar zbardhjen sa më shpejt të së vërtetës për ngjarjet e 21 janarit 2011 në Shqipëri. Në një komunikatë për shtyp, Muiznieks thekson se edhe pse kanë kaluar dy vjet nga ngjarja ende drejtësia nuk është vënë në vend.

“Kanë kaluar dy vjet pas ngjarjeve të dhimbshme në Tiranë ku katër protestues u vranë dhe një numër policësh e protestuesish të tjerë u plagosën. Mbetem tejet i shqetësuar prej faktit që disa nga personat përgjegjës për këto akte të dhunshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut, nuk kanë dhënë ende llogari para drejtësisë”, shprehet komisioneri. 

Muiznieks ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të lejojë hetimin të paanshëm në mënyrë që të dëshmojë se shkeljet e të drejtave të njeriut ndëshkohen.

“Nxis qeverinë shqiptare të vijojë me përfundimin a një hetimi tërësor, të paanshëm dhe të besueshëm dhe një proces të rregullt gjyqësor, për të dhënë kësisoj një sinjal të qartë që pandëshkueshmëria për shkeljet serioze të të drejtave e njeriut është e papranueshme”, thuhet në reagimin e komisioenrit.

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në KiE është një institucion jo-juridik, i cili është i mandatar për promovimin e  informimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në 47 vendet anëtare të KiE.